Konjufca kërkon nga komisionet angazhim më të madh në procedimin e projektligjeve

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka mbajtur takim me kryetarët e komisioneve parlamentare, ku u diskutua lidhur me projektligjet që janë në procedurë të shqyrtimit dhe për punën e komisioneve në përgjithësi.

Konjufca në takim kërkoi nga drejtuesit e komisioneve parlamentare angazhim më të madh dhe dinamizim të punës në shqyrtimin dhe procedimin e projektligjeve.

I pari i Kuvendit e konsideroi punën e komisioneve qenësore për efikasitetin e Kuvendit, ndërsa shtoi se qëllimi i këtij takimi është njoftimi lidhur me projektligjet që janë në procedurën e shqyrtimit.

“Agjenda e punës, të cilën ne e definojmë së bashku, nuk është e mundur të realizohet pa punën efektive të komisioneve parlamentare. Puna e tyre vërtet është jetike për ecurinë e Kuvendit të Kosovës, ndërsa puna e Kuvendit në përgjithësi është, jo vetëm shtylla e demokracisë, por edhe shumë e rëndësishme për interesat e qytetarëve tanë”, theksoi kryetari Konjufca.

Ai shtoi se aktualisht në procedurë të shqyrtimit në komisione janë 31 projektligje, të miratuara në shqyrtim të parë në seancë plenare.

Kreu i Kuvendit i kushtoi një rëndësi të veçantë nevojës për procedim sa më të shpejtë të Rregullores së re të Kuvendit nga ana e komisionit, si dhe angazhim më të madh në mbikëqyrjen e përmbushjes së veprimeve të parapara në kuadër të Programit Kombëtar për zbatimin e MSA-së 2021-2025.

Po ashtu, u kërkuar që t’i kushtohet rëndësi edhe Planit të veprimit për zbatimin e prioriteteve politike të dakorduara midis Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës për Agjendën e Reformave Evropiane.

Drejtuesit e komisioneve, nga ana e tyre, e njoftuan Konjufcën për aktivitetet dhe punën e deritashme të komisioneve që ata drejtojnë, duke theksuar gjithashtu edhe sfidat me të cilat përballen në arritjen e objektivave të tyre. ​