Kongresisti amerikan: SHBA nuk ka aleat më të madh se Kosova në Evropën Juglindore

Kongresisti amerikan, Ritchie Torres ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë aleat më të madh në Evropën Juglindore se Kosovën duke shtuar se ka ardhur koha se Kosova të pranohet në NATO.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë aleat më të madh në Evropën Juglindore se Kosova, e cila ishte ndër vendet e para që pranoi refugjatët afganë. Ka ardhur koha që Kosova të pranohet në NATO ”, ka shkruar Torres në Twitter.

Sipas New York Post, në një letër drejtuar Presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kongresisti amerikan Torres ka pohuar se Kosova si kombi i vogël ballkanik është një aleat i ngushtë dhe besnik i SHBA-së dhe se duhet t’i bashkohet NATO-s si mënyrë e kundërshtimit të ndikimit rus në rajon.

“Më 27 shkurt, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, bëri thirrje për ‘një anëtarësim të përshpejtuar në NATO.’ Për më tepër, më 3 mars, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën i bën thirrje qeverisë së tyre të fillojë negociatat për anëtarësimin në NATO. Nuk mund të pajtoheshim më shumë me këto veprime”, ka shkruar Torres.

“Përderisa Rusia vazhdon të sillet si një aktor iracional dhe Serbia forcon marrëdhëniet e saj me Rusinë, është kritike që ne të ndihmojmë aleatin tonë Kosovën për t’iu bashkuar NATO-s. Me situatën me zhvillim të shpejtë të sigurisë në Evropë, ne duhet të qëndrojmë me aleatin tonë”, ka shtuar ai.

Ditë më parë, Torres kishte deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk ka qenë kurrë më urgjent dhe se sipas tij Kosova duhet të ketë njohjen dhe respektin e plotë që një shtet i pavarur e meriton.