Salla e gjykatës. Foto: Kallxo.com

Konfuzion në gjykata rreth përcjelljes së seancave nga monitoruesit

Ndonëse seancat gjyqësore kanë filluar të mbahen, monitoruesve nuk u është lejuar gjatë ditës së sotme që t’i monitorojnë ato.

Ndërkohë, zyrtarja për informim e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Aishe Qorraj, ka thënë për KALLXo.com se një vendim i Këshillit Gjyqësor të Kosovës i 29 majit e lejon që gazetarët e monitoruesit t’i përcjellin seancat ndërsa ua ndalon praninë brenda tyre të publikut.

Por Qorraj ka thënë se është në diskrecionin e gjyqtarëve për të lejuar pjesëmarrjen e monitoruesve ne seancat gjyqësore.

Ajo ka bërë të ditur për KALLXO.com se për çështjen e monitorimit dhe diskrecionin e gjyqtarëve për lejimin e monitorimit janë njoftuar kryetarët e gjykatave.

Ndërsa për KALLXO.com, kryetarja e Gjykatës së Prishtinës, Afërdita Bytyçi, u përgjigj se lidhur me pikën e katërt të vendimit të KGJK-së janë informuar të gjithë gjyqtarët se kjo pikë kufizon vetëm pjesëmarrjen e publikut e jo edhe të mediave dhe monitoruesve.