Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dy Sindikata të Postës akuzojnë menaxhmentin për krijim të një Sindikate të re

Dy Sindikatat e Punëtorëve të Postës së Kosovës, po akuzojnë menaxhmentin dhe kryeshefen ekzekutive, Fakete Kadiu, se kanë krijuar një Sindikatë të re të Punëtorëve.

Sipas Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Postës dhe Shoqatës Sindikale ‘Postieri’, menaxhmenti i Postës së Kosovës, përmes e-mail-it zyrtar të Postës, ka bërë thirrje që punëtorët t’i bashkohen Sindikatës së posaformuar, që sipas tyre, e ka formuar vetë menaxhmenti.

“Kryeshefja Ekzekutive znj. Kadiu në vazhdimësi ka bërë favorizimin e kësaj sindikate, ku vetëm pak kohë më parë, ka dalë me një falënderim duke ju bërë reklamë përmes email-it zyrtar, për të kulmuar ditën e djeshme, ku tanimë nuk ka dilemë se kush e formoi këtë Sindikatë dhe kush qëndron prapa saj”, thuhet në reagimin e këtyre të Sindikatave.

Në reagim këto dy Sindikata, kanë kërkuar dorëheqjen e Kadiut nga detyra e saj, ndërsa kanë dhënë edhe një ultimatum.

“Nëse znj. Kadiu nuk jep dorëheqje sot, atëherë ne kërkojmë nga ana juaj që të njëjtën ta lironi nga detyra deri të hënën me datë 30 gusht 2021, në ora 12:00, në mënyrë që bashkëpunimi me ju të vazhdoj në të mirë të Ndërmarrjes”, thuhet në reagimin e këtyre dy Sindikatave, dërguar anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës.