Ende nuk ka vendim nëse do të aprovohet dorëheqja e U.d kryeshefes së Postës së Kosovës

Dy ditë më parë përmes emailit, ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës” Fakete Kadiu ka ofruar dorëheqjen e saj.

Letër-dorëheqja e Kadiut i shkoi bordit përmes emailit. Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, Kryetari i bordit të Postës, Fadil Bejta.

Gjatë ditës së djeshme është mbajtur një takim në lidhje me këtë çështje.

Deri më sot, pra dy ditë pas letër dorëheqjes ende nuk është marrë ndonjë vendim për këtë rast.

Kjo për shkak të mungesës së dy anëtarëve të bordit të Ndërmarrjes “Posta e Kosovës”.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Kryetari i Bordit të Postës, Fadil Bejta ka thënë për KALLXO.co gjatë ditës së djeshme se janë në konsultime jo-formale.

“Dy anëtarë të Bordit, ndodhen jashtë Kosovës dhe nuk do të ketë aktualisht vendim për këtë çështje”,- tha Bejta për KALLXO.com.

KALLXO.com ka tentuar që të marrë edhe një qëndrim për këtë çështje nga ana e u.d të Kryeshefes aktuale të Postës së Kosovës. E njëjta nuk ka pranuar që të flas në lidhje me letër dorëheqjen apo arsyet pse vendosi në këtë formë.

Pas dorëheqjes së Rafet Jasharit nga pozita e kreut të Postës së Kosovës, Bordi Drejtues kishte emëruar në korrik të vitit të kaluar, ushtruesen e ri të detyrës së kryeshefit, Fakete Kadiu.

Kadiu që nga korriku i kaluar është ushtruese e detyrës së kryeshefes.