U.d kryeshefja e Postës së Kosovës ofron dorëheqjen, bordi vendos nesër

Ushtruesja e detyrës së Kryeshefes së Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës”, Fakete Kadiu, sot ka ofruar dorëheqjen e saj nga kjo pozitë.

KALLXO.com mëson se Kadiu ka dorëzuar letrën e dorëheqjes te bordi përmes emailit.

E kontaktuar nga KALLXO.com, Kadiu nuk ka komentuar letër-dorëheqjen e saj.

Në lidhje me dorëheqjen e saj KALLXO.com ka kontatuar edhe me kryetarin e bordit të “Postës së Kosovës”, Fadil Bejta.

Ai e ka konfirmuar se Kadiu ka ofruar dorëheqjen e saj nga pozita e ushtrueses së detyrës së kryeshefes së Postës së Kosovës.

“Po, me email e kemi pranuar, bordi do të mblidhet nesër dhe do të marrë një vendim” – tha Bejta për KALLXO.com.

Kadiu ishte emëruar u.d kryeshefe në korrik të vitit 2021. Emërimi i Kadiut në krye të Postës së Kosovës ishte bërë pas dorëheqjes së ish-kryeshefit Rafet Jashari.