Konferenca 'Të bashkuar kundër dhunës - Mjaft' nis duke kujtuar Liridona Ademajn
Me një minutë heshtje për Liridona Ademajn filloi sot konferenca rajonale dy ditore “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft!”- e organizuar nga Ministria e Drejtësisë në Kosovë.
Fjalën hapëse në këtë konferencë e pati kryeministri i vendit, Albin Kurti, me kërkesë të së cilit në sallë mbizotëroi heshtja për Liridona Ademaj.
“Liridona Ademaj u varros dje, andaj në kujtim të saj ju lus të ngriheni në këmbë për 1 minutë heshtje”- tha Kurti teksa shtoi se zbardhja e plotë e rastit të Liridonës është drejtësi.
Kryeministri teksa fliste për hapat që Qeveria e Kosovës ka marrë në drejtim të parandalimit të dhunës, foli se çka sipas tij i duhet tashmë vendit.
“Kemi përmirësuar qasje në shërbime sociale, duke ngritur mbështetje në këto shërbime. Ajo çfarë na duhet më së shumti tani është një sistem prokurorial dhe gjyqësor shumë më aktiv e shumë më efektiv”- u shpreh shefi i ekzekutivit.
Ai tutje tha se institucionet janë të obliguara të jenë përkrah atyre që iu bëhet padrejtësi dhe se askush nuk mund të vendosë për jetën e askujt, e se askush nuk është pronë e askujt.
“Të gjithë janë të lirë me të drejta të barabarta”- tha ai.
Kurti përmendi edhe vajzat e gratë e dhunuara gjatë luftës, duke përmendur edhe memorialin “Heroinat” në Prishtinë.
“Ne që përkulemi te ai memorial, kemi përgjegjësinë t’i luftojmë bashkë këto raste të shndërruara në dukuri”- tha i pari i Qeverisë.
Më pas Kurti kujtoi edhe vrasjen e Sadije Godenit, e cila u vra me sëpatë nga burri i saj gjatë kohës sa ishte në gjumë, e po ashtu Hamide Magashin, e cila u vra në oborrin e QKUK-së nga bashkëshorti i saj, bashkë me foshnjën e saj që po priste ta lindte.
Policia e Kosovës, sipas Kurtit po vepron në këto raste duke kryer arrestime. Por, sipas tij kjo nuk po mjafton, duke shtuar se kriminelët më pas po e dinë që ka raste kur vepërkryesit e njëjtë po lirohen.
“Butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit”- tha Kurti.
Një fjalë rasti pati edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo tha se rasti i Liridona Ademajt është një tjetër rast që sipas saj na bën të kuptojmë që kemi të bëjmë me femicid.
“Fatmirësisht aktorët e vrasjes së Liridonës janë arrestuar”- tha ajo.
E njëjta shtoi se dje Liridonës iu dha lamtumira e fundit, e se ajo do të pushojë në paqe.
“Por, ne nuk do të jemi të qetë deri sa të ndërtohet një shoqëri ku ka drejtësi dhe barazi”- tha ministrja.
Tutje, e para e MD-së tha se kjo konferencë sot është hap i rëndësishëm drejt një shoqërie edhe më të barabartë.
Teksa foli për hapat që Qeveria e Kosovës mori në drejtim të parandalimit të dhunës në baza gjinore, ministrja Haxhiu tha se angazhimi kundër dhunës e për barazi janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Konferenca do të vazhdojë sot e nesër. Të ftuar në konferencë janë ndërkombëtarët, institucionet vendore e përfaqësueses nga vendet e rajonit.