Komunat s'duhet aplikojnë për të kryer teste serologjike, mjafton plotësimi i kritereve

Testet serologjike kanë filluar të bëhen në Kosovë.

Deri më tani vetëm komuna e Prishtinës është duke i kryer këto testime,  ndërsa sipas Ministrisë së Shëndetësisë në momentin që komunat e tjera i plotësojnë kriteret mund të fillojnë me kryerjen e tyre.

Përveç sigurimit të testeve duhet të verifikohet se cilat komuna kanë potencial të kryejnë testet serologjike.

Por, për të kryer këto testime Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare apo Spitalet Rajonale duhet të kenë pajisje laboratorike dhe staf mjekësorë të mjaftueshëm.

Gjithashtu, këto teste priten të bëhen edhe nëpër institucione private, në momentin që ato licencohen.

Licensimi i tyre do të bëhet vetëm nëse i plotësojnë kriteret e kërkuara nga Ministria e Shëndetësisë, të paraqitura në dy Udhëzimet Administrative të miratuara së fundmi.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

“Nëse ato (QKMF apo Spitali) kanë pajisje laboratorë dhe staf mjafton të furnizohen qoftë me i ble vetë (testet serologjike) apo edhe me ua ble ministria dhe me i kry këto teste nuk kanë nevojë të aplikojnë se merren si të mirëqena institucionet publike të cilat janë të licensuara”, tha zëdhënësi.

Komuna e Prizrenit ka ndarë 120 mijë euro për të blerë teste serologjike vetëm për fazën e parë.

Përmes testeve serologjike do të zbulohen se sa persona e kanë kaluar virusin COVID-19 dhe sa prej tyre janë ende të rrezikuar. Ky zbulim bëhet përmes sistemit imunitar të pacientit.

Në Kosovë deri më tani janë të infektuar 6680 persona nga COVID-19, prej tyre 3614 janë shëruar dhe 164 kanë vdekur.

Çka janë testet serologjike?