Arkiv - Vërshimet në Vushtrri - Janar 2021 - Foto: KALLXO.com

Komuna e Vushtrrisë kompenson 136 familje për dëmet nga vërshimet e janarit

Komuna e Vushtrrisë ka kompensuar 136 familje, të cilave iu vërshuan shtëpitë në muajin janar.

Vlera e kompensimit për dëmet materiale në shtëpi banimi është  162 mijë euro.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, përmes një shkrimi në Facebook.

“Kompensimi i dëmeve do të bëhet në shkallën prej 31,27% të vlerës së tërësishme të dëmit të shkaktuar për secilin rast të vlerësuar nga Komisioni për Vlerësim të  Dëmeve të Shkaktuara nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera”, ka shkruar ai.

Sipas tij, këto mjete do t’i paguhen secilës ekonomi familjare të përfshirë në raportin e komisionit vlerësues të dëmeve, që është pjesë e këtij vendimi.

KALLXO.com muajin e kaluar kishte raportuar se qytetarët e prekur nga vërshimet nuk ishin kompensuar as nga Komuna as nga Qeveria.

Komuna e Vushtrrisë një një përgjigje për KALLXO.com kishte thënë se vlera e dëmeve nga vërshimet në këtë vit është mbi 600 mijë euro.