Arkiv - Vërshimet në Vushtrri - Janar 2021 - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Vërshimet në Vushtrri, qytetarët nuk u ndihmuan as nga Komuna as nga Qeveria

Vushtrria është njëra ndër komunat më të prekura nga vërshimet e janarit dhe shkurtit të këtij viti.

Vlera e dëmeve në ekonomitë familjare në qytet dhe në fshatra sipas autoriteteve lokale është qindra mijëra euro.

Dëme të mëdha i janë shkaktuar në shtëpi edhe vushtrriases Kada Muçiqi, e cila jeton afër lumit Silnica.

“Me laminat, me makinë të enëve, shporet, tavolinat e këto krejt të lagëta. Frigoriferi, frizi, fshirësja, se këto kanë qenë në ujë. U dashtë me i hek krejt laminatin me u ter, jena mundu me ter më një nxemëse që me mujtë me hi sa për pak. Tash po duhet në dorë me i la teshat”, tha ajo për KALLXO.com.

Kada Muçiqi thotë se nuk është ndihmuar ende as nga Komuna as nga niveli qendror.

 

Dëme të mëdha nga vërshimet i janë shkaktuar edhe Raif Latifit, banor i fshatit Dumnicë e Epërme.

Ai po vlerëson se dëmet kapin shumën 12 mijë euro.

Edhe Raif Latifi ankohet se nuk është ndihmuar nga Komuna e Vushtrrisë as nga institucionet qeveritare.

Për ditën e vërshimeve thotë se brenga më e madhe ka qenë si t’i shpëtojë nipat e mbesat.

“Gjithçka aty po ndodhke brenda 1-2 ore, kur po të hyke uji. Po krejt frikën e kishim me i shpëtu fëmijët se me pas qenë krejt natë, nuk e di çka kishim bo, se edhe pa rrymë. Janë kanë krejt pos i kanë këqyr vlerësimin  çka kanë bo komuna ni “kauq” nuk e ka pagu. Me kon jon kon”, tha Latifi për KALLXO.com

Komuna e Vushtrrisë një një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se vlera e dëmeve nga vërshimet në këtë vit është mbi 600 mijë euro.

Agron Përquku, drejtor i Inspektoratit në Vushtrri, ka thënë se kompensimi pritet të bëhet nga niveli qendror dhe jo nga Komuna.

“ Sa i përket çështjeve të vlerësimeve dhe kompensimit, kryeministri Avdullah Hoti  në ditët e vërshimeve kishte qenë në vendin e ngjarjes  dhe u ka premtuar të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë nga vërshimet se do t’i ndalin në  ndihmë.  Ne si Komunë kemi formuar komisione dhe e kemi bërë  vlerësimin e dëmeve tek ekonomitë familjare dhe ekonomitë në bujqësi. Sa u përket ekonomive familjare i kemi proceduar 135 familje me rreth  514 mijë euro dëme, të cilat i kemi proceduar në nivel qendror”, tha Përquku.