Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Prizrenit subvencionoi me 142 mijë euro dy OJQ që s'i plotësuan kriteret

Komuna e Prizrenit ka subvencionuar dy OJQ pa kritere të plotësuara, dhe kjo e gjetur është evidentuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Sipas raportit të auditorit, këto OJQ janë subvencionuar edhe pse kishin borxhe të pashlyera në Administratën Tatimore të Kosovës, si një ndër kriteret për subvencionim.

Kritereve të vendosura në thirrjen publike të datës 13 tetor 2020 për subvencionim të OJQ-vë bërë nga Komuna e Prizrenit ishin: formulari, kopje letërnjoftimi, certifikata për regjistrim si OJQ, certifikatën që nuk janë nën hetime, dëshmitë që nuk kane obligime ndaj ATK-së dhe konfirmimin nga banka e aplikuesit.

Shuma e vlerës që ishin subvencionuar këto dy OJQ ishte 142 mijë euro.

Kjo ka ndodhur për shkak të funksionimit jo të mirë të kontrolleve të brendshme, konstaton auditori.

Sipas auditorit, përzgjedhja e përfitueseve pa i plotësuar kriteret e vendosura në shpalljen publike ka reflektuar në trajtim jo të barabartë të aplikuesve dhe se, komuna rrezikon financimin e përfituesve të papërgjegjshëm, përmes fondeve publike.

ZKA ka rekomanduar kryetarin e komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukën, që të sigurojë që ka transparencë në procedura dhe vendimmarrje në gjithë ciklin e ofrimit të mbështetjes financiare, duke përfshirë publikimin e kritereve dhe procedurave, aplikimin, vendimmarrjen dhe përzgjedhjen e përfituesve. Çdo ofrues i mbështetjes financiare (komuna) që planifikon mbështetje financiare për OJQ-të duhet të disponojnë me kapacitete institucionale, duke përfshirë burimet e nevojshme njerëzore për të zbatuar kërkesat ligjore. Komisioni Vlerësues të përbëhet nga anëtarë që kanë përvojë dhe integritet, me mandat për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikacioneve, në të kundërtën duhet të zbatohet parimi i llogaridhënies për shfrytëzimin e këtyre fondeve.