Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Podujevës reagon pas deklaratës së Dioqezës Ortodokse: Asnjë zyrtar nuk ka marrë pjesë në cilësinë zyrtare në meshë

Komuna e Podujevës ka thënë se ka trajtuar me vëmendje reagimin e Dioqezës Ortodokse, sipas të cilës, në një meshë në një kishë ortodokse në komunën e tyre ka marrë pjesë edhe një zyrtar komunal.

Komuna tha se asnjë zyrtar i Komunës nuk ka marrë pjesë në cilësinë zyrtare në një meshë të organizuar.

“Çdo person që njëkohësisht mund të ketë edhe funksione tjera, ka marrë pjesë vetëm si individ që përfaqëson vetveten, dhe asgjë më shumë” – ka thënë Komuna.

Tutje është thënë se secili aktivitet zyrtar i Komunës dhe i përfaqësuesve të saj të deleguar bëhet publik dhe me njoftim zyrtar.

“Në çdo rrethanë tjetër askush nuk mund ta përfaqësojë Komunën dhe qëndrimin zyrtar të saj” – thuhet në reagimin e Komunës, të publikuar në Facebook.

Po ashtu është thënë se Republika e Kosovës dhe Komuna e Podujevës janë shembull i bashkëjetesës ndërfetare dhe ashtu do të vazhdojnë të mbeten.

“Ne nuk e lidhim besimin fetar me përkatësinë etnike apo kombëtare, është i pamendueshëm për ne shqiptarizimi apo serbizimi i kishave, xhamive apo objekteve të tjera” – u tha në njoftimin e Komunës.

Gjithashtu u shtua se këto çështje i përkasin komuniteteve të besimtarëve në Kosovë dhe se fatmirësisht në Podujevë ka zero raste të problemeve ndërfetare çka tregon edhe për “artificialitetin e atij reagimi duke u munduar ta përfshijnë institucionin e Komunës sonë në atë aktivitet”.

“I bëjmë thirrje qytetarëve të Podujevës të ruajnë qetësinë, të vazhdojnë të jenë shembull i bashkëjetesës ndërfetare e ndëretnike, dhe të mos bëjnë veprime që nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës” – thuhet tutje.

Në anën tjetër një deklaratë e gjatë e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë trajtoi thyerjen e djeshme në një nga kishat në Kosovë.

“Ky incident u krye nga një grup shqiptarësh të Kosovës, të udhëhequr nga një individ Nikolla Xhufka nga Shqipëria, i cili pretendon në mënyrë të rreme se është ‘prift ortodoks shqiptar’” – u tha në reagim.

Sipas kësaj deklarate, dje, sipas një portali, një grup personash së bashku me priftin, siç thuhet në deklaratë, e vetëshpallur dhe mashtrues, shtetas i Republikës së Shqipërisë, Nikolla Xhufka, kanë hyrë në kishë.

“Shën Kryeengjëlli Mihail në fshatin Rakitnicë/Rakinicë të Kosovës, komuna e Podujevës, supozohet se do të kryejë një ceremoni fetare. Ky akt paraqet një sulm të hapur ndaj pronës së Kishës Ortodokse Serbe (KOS), që synon nxitjen e urrejtjes dhe jostabilitetit etnik dhe fetar në Kosovë” – u tha në deklaratë.

Tutje u tha se siç raporton portali, në këtë ndërhyrje dhe keqpërdorim të kishës serbe, e cila u tha se daton nga shekulli i 15-të dhe më vonë e restauruar, ka marrë pjesë edhe përfaqësues të komunës së Podujevës.

“Synimi i grupit, sipas portalit, ishte shpallja e kësaj kishe si “Kisha e Fan Nolit”, që i përket Kishës Kombëtare Ortodokse Shqiptare ilegale dhe të vetëshpallur në Elbasan (Shqipëri). Ky akt kriminal paraqet një tjetër në serinë që synon uzurpimin e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, duke “shqiptarizuar” apo “kosovarizuar” trashëgiminë tonë shpirtërore dhe kulturore” – thuhet në reagim.

Tutje u tha se Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka vite që e ka vënë në pah procesin e përvetësimit kulturor të trashëgimisë.

“Ky incident i fundit konfirmon pretendimet tona, kësaj radhe në mënyrë të pamohueshme dhe tejet shqetësuese. Aktet e tilla nënvizojnë nevojën urgjente për të mbrojtur trashëgiminë tonë kulturore dhe shpirtërore, në radhë të parë nga individët dhe organizatat e lidhura me institucionet kosovare, apo nga ata që veprojnë me mbështetjen e tyre më të madhe apo më të vogël” – thuhet tutje.

Deklaratën e plotë të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit mund ta ndiqni në linqet e bashkëngjitura.