Komuna e Pejës punëson vajzën e gjykatësit që liroi nga akuza Gazmend Muhaxherin

Ish-drejtori i auditimit të brendshëm në komunën e Pejës, Hysni Selmanaj, e quajti ‘politik’ vendimin e sotëm në Gjykatës në Pejë që ta hedhë poshtë aktakuzën ndaj kryetarit të komunës, Gazmend Muhaxheri.

Aktakuza ndaj Muhaxherit ishte ngritur për shkak se ky i fundit e kishte larguar Selmanajn nga pozita e tij në komunë.

Selmanaj është ndarë i pakënaqur me këtë vendim ndërsa ia përmendi gjyqtarit të rastit, Sejdi Blakaj, edhe punësimin e vajzës së tij si arsimtare në një shkollë të Pejës.

“Vendim i njëanshëm politik, pazare politike, ku kryetari i komunës Gazmend Muhaxheri në këmbim për lirim nga akuza e ka punësuar vajzën e gjyqtarit Sejdi Blakaj në shkollën “7 Shtatori” në Vitomiricë”, tha Selmanaj për KALLXO.com.

Në vendimin për hedhjen poshtë të aktakuzës, gjyqtari Blakaj ka thënë se veprimet e të pandehurit “nuk përbejnë vepër penale dhe nuk kemi prova të mjaftueshme qe mbështesin dyshimin e bazuar se është kryer vepër penale”.

Kur është pyetur nga KALLXO.com për pretendimet e Selmanajt për punësimin e vajzës së tij, Blakaj i hodhi poshtë akuzat.

“Vajza ime është e diplomuar qe 5 vite, ndërsa si zëvendësim i një arsimtareje punon në shkollën “7 Shtatori”, por që kjo punë i ka dy vite prej që e njëjta punon si zëvendësim, pa vendim” , tha gjyqtari Sejdi Blakaj për KALLXO.com.

Ai tha se vendimi për hedhjen e aktakuzës “është meritor i bazuar në shkresat e lëndës, dhe se pala e dëmtuar ka të drejtë ankese”.