Ndertesa e Komunes se Pejes, Photo: Atdhe Mulla.

Komuna e Pejës: Nuk e kemi kompetencë menaxhimin e qendrave për të moshuar

Komuna e Pejës ka thënë se nuk ka kompetencë për menaxhimin e qendrave për të moshuar në territorin e komunës.

Në lidhje me rastin e dhunës ndaj të moshuarës në Pejë, në një konferencë për media, Faik Zekaj, zëdhënës i Komunës, ka thënë se qendra në fjalë është një konzorcium shqiptaro-zviceran.

“Ka qenë një video trishtuese dhe e tmerrshme. Arsyeja që iu kemi thirrë është se institucionet që merren me përkujdesjen e pleqve nuk janë në menaxhimin e Komunës. Qendra aty është një konzorcium shqiptaro-zviceran, është biznes privat” – ka thënë Zekaj.

“Ne jemi të shqetësuar, kemi kërkuar edhe nga organet e rendit të merren me rastin. Kemi qenë edhe në vendin e ngjarjes, e kemi parë vendimin e suspendimit të 4 infermiereve” – tha ai.

Në ndërkohë deri më tash janë arrestuar tri të dyshuara për rastin e dhunës në qendrën e të moshuarve ‘Orenda’, në Pejë, kurse zyrtarisht Prokuroria e Shtetit është duke e hetuar rastin.

Anton Rasaj, njëri nga pronarët e qendrës së të moshuarve ‘Orenda’, ka thënë se ngjarja e ka lënë “pa fjalë dhe plotë mllef’.

 

Dhuna ndaj të moshuarës, deklarohet njëri nga pronarët e qendrës së të moshuarve ‘Orenda’