Vërshimet në Pejë

Komuna e Pejës bën thirrje që të kufizohen lëvizjet me vetura, shkak pastrimi i rrugëve

Komuna e Pejës iu ka bërë thirrje qytetarëve që nga sot t’i kufizojnë maksimalisht lëvizjet me vetura nëpër rrugët e qytetit.

Ky vendim ka ardhur pas vërshimeve në Pejë gjatë fundjavës dhe se sipas tyre, rrugët në qytet kanë mbetur të mbuluara nga balta dhe zhavorri.

“Me qëllim të pastrimit të tyre, Komuna e Pejës do të angazhojë disa cisterna, e ku do të ndihmohet edhe nga Komunat e rajonit, Istogu, Deçani dhe Gjakova. Poashtu për ndihmë na janë ofruar edhe shumë komuna tjera, për të cilën gjë ne ju jemi mirënjohës”

“Andaj me qëllim të mos pengimit, mos dëmtimit eventual të  veturave gjatë pastrimit të rrugëve dhe mos krijimit të tollovive në trafik, me mirëkuptim kërkojmë nga ju që  maksimalisht të reduktoni lëvizjet me automjete nëpër rrugët në qytet” – thotë Komuna e Pejës.

Dy viktima, nënë e djalë kanë vdekur si pasojë e vërshimeve nga reshjet e shiut më 24 qershor.

Dje Komuna e Pejës shpalli ditë zie.