Ilustrimi: Granit Mavriqi/KALLXO.com

Komuna e Malishevës blen dy pajisje për verifikimin e parave

Komuna e Malishevës ka blerë dy pajisje për verifikimin e parave.

Këto dy pajisje i kanë kushtuar komunës së Malishevës 320 euro, të cilat do t’i shërbejnë për verifikimin e monedhave.

Nga Komuna e Malishevës kanë thënë për KALLXO.com se këto pajisje do të përdorën për t’i verifikuar monedhat me të cilët qytetarët e Malishevës paguajnë shërbimet komunale.

Valmir Gashi, këshilltari për media i kryetarit të kësaj komune tha për KALLXO.com se për çfarë do të hyjnë në punë këto pajisje.

“Do t’i shërbejë arkës komunale për pagesa deri në 10 euro për taksa komunale, për shembull për pagesa të certifikatave në vlerë dy, tre euro, qytetarët paguajnë me monedhë 100 euro dhe ajo verifikohet” – tha Gashi.

Tutje, Gashi ka bërë të ditur se njëra nga pajisjet është vendosur në administratën e Komunës, ndërsa pajisja tjetër është vendosur në Qendrën e Mjekësisë Familjare.

Tenderi është hapur më 3 gusht, ndërsa nënshkrimi i kontratës është bërë më 10 gusht të këtij viti.

Gashi e ka konfirmuar se nuk kanë pasur ndonjë rast që pagesat për shërbime nga institucionet lokale janë kryer me para false.

KALLXO.com ka publikuar së fundi një analizë që tregon se pavarësisht rasteve të shumta të dyshimeve për falsifikim të parave në Kosovë, gjatë muajit korrik asnjë person nuk është ndëshkuar nga Gjykatat e Kosovës për veprën penale të falsifikimit të parasë.

Vepra penale e falsifikimit të parasë mund të dënohet deri në 10 vjet burgim.

https://kallxo.com/lajm/falsifikimi-i-parase-rastet-ne-gjykata/