Komuna e Kaçanikut angazhon autobus për dërgimin e ndihmave në Shqipëri

Komuna e Kaçanikut ka bërë të ditur se me iniciativë të kryetarit të komunës Besim Ilazi në bashkëpunim me kompaninë “Elita Tours”, nesër (e mërkurë) nga ora 15:00 nga stacioni i autobusëve, do të niset autobusi për në Shqipëri, për të dërguar ndihmat elementare, të cilat mund të dhurohen nga qytetarët kaçanikas.

“Luten qytetarët e komunës sonë që varësisht nga mundësitë ekonomike, të dhurojnë gjëra ushqimore, batanije ose veshmbathje, të cilat do të grumbullohen tek Stacioni i Autobusëve në Kaçanik”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, këtij aksioni mund t’i bashkangjiten edhe qytetarët vullnetarë nga komuna për të ju dalë në ndihmë qytetarëve të Shqipërisë, përmes transportit me autobus nga kompania “Elita Tours” e cila, sipas tyre këtë transport e organizon në mënyrë krejtësisht vullnetare.

“Luten qytetarët e komunës sonë që t’i bashkangjiten këtij aktiviteti humanitarë”, përfundon njoftimi i komunës në Facebook.

Ka arritur në 20 numri i viktimave si pasojë e tërmetit të fuqishëm në Shqipëri.

Liderë të institucioneve të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar, përderisa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë shkuar në zonat e prekura nga tërmetet.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka shpallur të mërkurën, 27 nëntor 2019, ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave nga tërmeti i mëngjesit të së martës në Shqipëri.

KALLXO.com do të ju mbajë të informuar për zhvillimet e fundit në Shqipëri, me raportimet nga vendi i ngjarjes.