Foto nga: Pajtim Çuni & Vjosa Çerkini

Kompania Bifurkacioni më mangësi të shumta në aktivitete të prokurimit

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, në raportin për vitin 2019, kishte bërë disa gjetje në aktivitete të prokurimit në Kompaninë Bifurkacioni.

Auditori kishte gjetur se kjo ndërmarrje, ka aplikuar ndarje të tenderëve për blerjen e furnizimeve/shërbimeve të njëjta/ndërlidhura, duke përdorur procedurën për vlerë minimale dhe vlerë të vogël.

Sipas auditorit ndërmarrja për këto blerje do duhej të zhvillonte procedura të hapura të prokurimit sipas kufirit të vlerës së përcaktuar me legjislacion.

“Tri kontrata për furnizim me pompa drenazhi dhe pompa zhytëse, në vlerë të përbashkët 2,714 euro, tri kontrata për furnizim me inventar, në vlerë të përbashkët 2,680 euro, katër kontrata për riparime të automjeteve, në vlerë të përbashkët 3,120 euro, dy kontrata për sigurimin e automjeteve, kontrollimin teknik dhe regjistrimin e automjeteve, në vlerë të përbashkët 14,593 euro, tri kontrata për furnizim me printer dhe pajisje të teknologjisë informative, në vlerë të përbashkët 2,197 euro dhe dy kontrata për furnizim me lëndë djegëse për ngrohjen e objekteve, në vlerë të përbashkët 4,700 euro”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se zyrtari i prokurimit kishte thënë se, kjo kishte ndodhur edhe përkundër faktit se njësitë kërkuese janë informuar me kohë për evidentim të saktë të kërkesave ashtu që të mund të shmangen mundësitë për ndarje të tenderëve, ndërsa në disa raste ndarja e tillë ka ndodhur për shkak të paraqitjes së nevojave të paparashikuara në terren për furnizime/shërbime.

Auditori shton se ndarjet dhe shmangiet e procedurave të përshtatshme të prokurimit reflektojnë me mungesë transparence dhe kufizim të konkurrencës, duke rrezikuar edhe aspektin kualitativ të furnizimeve të pranuara për paranë e shpenzuar.

ZKA rekomandon që Bordi i Drejtorëve të sigurojë një planifikim të drejtë dhe të saktë, duke evituar çfarëdo ndarje të aktiviteteve të njëjta të prokurimit, ashtu që të sigurohet blerje efikase dhe të mundësohet në këtë formë respektimi i kërkesave ligjore për paranë e shpenzuar.

Gjithashtu, kjo ndërmarrje, nuk kishte respektuar afatet kohore ligjore për vlerësimin e tenderëve.

Auditori kishte gjetur se në katër procedura të prokurimit nga dhjetë të testuara, kishte vonesa për fillim të procesit të vlerësimit të tenderëve nga dy deri në tetë ditë vonesë.

Raporti tregon se sipas pohimeve të zyrtarit të prokurimit, formimi i komisioneve vlerësuese është bërë gjithmonë brenda afateve kohore ligjore, dhe se obligimi i komisionit ishte të filloj vlerësimin me kohë, mirëpo vonesat në këto raste janë të pajustifikueshme vetëm për komisionin.

ZKA vlerëson se vonesat në fillimin e vlerësimit të tenderëve, rrezikojnë me vlerësim jo të duhur, për shkak të presionit të afatit më të shkurtër kohor dhe kjo mund të shpie edhe në gabime, që mund të pasojnë me ankesa të operatorëve ekonomik.

Auditorit i rekomandonë Bordit të Drejtorëve të sigurojë se Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit ushtron mbikëqyrje efektive ndaj komisioneve të vlerësimit, në mënyrë që të evitohen rastet e vonesave në vlerësimin e tenderëve.

Po ashtu ndërmarrja Bifurkacioni kishte shpërblyer me kontratë operatorët ekonomik, të cilët nuk kishin dorëzuar të gjitha kërkesat e parashtruara në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë për aktivitetet e prokurimit.

“Operatori ekonomik fitues i kontratës ‘Ndërtimi i katit të 1-rë të aneksit të objektit të dytë të administratës së KRU Bifurkacioni’, nuk kishte dorëzuar letër referencë apo raport të pranimit teknik që do të dëshmonte realizimin me sukses të një kontrate të natyrës së ngjashme në vlerë prej jo më pak se 50,000 euro. Operatori ekonomik fitues i kontratës ‘Pastrimi i puseve të ujësjellësit të fshatrave Gurëz-Komogllavë Ri-Tender II’, nuk kishte dorëzuar letër referencë apo raport të pranimit teknik për të dëshmuar realizimin me sukses së paku të një kontratë të natyrës së ngjashme në tri vitet e fundit. Përveç kësaj, nuk kishte dorëzuar dëshmi të librezave për pronësinë dhe vlefshmërinë e regjistrimit të pajisjeve teknike në dispozicion për ekzekutimin e projektit”, thuhet në raport.

Vlera e përbashkët për dy kontratat e shpërblyera sipas auditorit është 40,640 euro.

“Kjo situatë kishte ndodhur nga pakujdesia e anëtarëve të komisionit të vlerësimit dhe mungesës së mbikëqyrjes së procesit të vlerësimit nga njësia e prokurimit”, thuhet në raport.

Shpërblimi me kontratë i operatorëve ekonomik të papërgjegjshëm, sipas auditorit rrezikon përmbushjen e kontratave sipas kërkesave të specifikuara në dosjen e tenderit dhe si rrjedhojë mund të shpie edhe në dëme financiare për kompaninë.

Menaxhmenti sipas auditorit nuk ishte pajtuar me pjesën e parë të gjetjes.

Kompania nuk kishte përfshirë të gjitha prokurimet në planin përfundimtar vjetor të prokurimit dhe kishte mos detajim të planit.

“Kompania kishe hartuar ‘Planin Përfundimtar Vjetor të Prokurimit’ të përgjithësuar, i cili nuk ishte i detajuar për secilin produkt, shërbim apo punë që kishte synim të prokurojë. Plani nuk përmbante detaje rreth njësive matëse, sasisë së përafërt vjetore dhe çmimeve për njësi, të produkteve/shërbimeve/punëve të planifikuara”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se dy aktivitete të prokurimit “Ndërtimi i Stacionit të Pompimit në fshatin Softaj” dhe “Pastrimi i puseve të ujësjellësit të fshatrave Gurëz – Komogllavë Ri-Tender II”, nuk ishin përfshirë në planin vjetor të prokurimit edhe përkundër faktit se njësia kërkuese kishte qenë në dijeni për kërkesat e vazhdueshme dhe të arsyeshme të qytetarëve për furnizim të rregullt me ujë të pijshëm, dhe se nevojat e tyre do të realizoheshin përmes këtyre aktiviteteve.

“Vlera e përbashkët për dy kontratat e shpërblyera është 11,689 Euro. Sipas njësisë së prokurimit, kjo kishte ndodhur si rrjedhojë e mos parashikimit të projekteve, dhe mos detajizimit të kërkesave nga njësitë kërkuese”, thuhet në raport.

Sipas auditorit një plan i përgjithësuar i prokurimit, si dhe mos përfshirja e projekteve në plan krijon mundësi që gjatë kryerjes së procedurave të prokurimit të përfshihen produkte, shërbime, punë të panevojshme të cilat nuk ndërlidhen me realizimin e objektivave të kompanisë përmes kontratave specifike, kosto shtesë për kryerjen e aktiviteteve të prokurimit dhe mos arritjen e vlerës së synuar për paranë.

Gjetje tjetër e këtij raport është se kompania Bifurkacioni nuk kishte publikuar planifikimin final të prokurimit për vitin 2019 në ueb faqen zyrtare të saj.

“Sipas pohimeve të zyrtarit të prokurimit, planifikimi final i prokurimit nuk ishte publikuar për shkak të mangësive në mirëmbajtjen e rregullt të uebfaqes”, thuhet në raport.

Mos publikimi i planifikimit final të prokurimit sipas auditorit zbehë transparencën ndaj publikut dhe përfituesve potencial rreth aktiviteteve zhvillimore të kompanisë. Gjithashtu, krijon kufizime të informacionit për operatorët ekonomik të interesuar për ofertim, varësisht nga kërkesat e kompanisë për plotësim të nevojave për punë/furnizime/shërbime.

Auditori kishte gjetur gjithashtu se kompania nuk kishte emëruar Zyrtar Autorizues për inicim të aktiviteteve të prokurimit.

“Këtë rol e ushtronte Kryeshefi Ekzekutiv, i cili autorizonte inicimin e të gjitha aktiviteteve të prokurimit. Mos emërimi i Zyrtarit Autorizues ka ndodhur për shkak të dështimit të menaxhmentit për të vendosur kontrollet dhe pozitat e duhura në Kompani, sipas kërkesave të dispozitave ligjore”, thuhet në raport.

Mungesa e Zyrtarit Autorizues sipas auditorit paraqet mangësi në funksionimin e kontrollit të brendshëm gjatë ciklit të inicimit të aktiviteteve të prokurimit.