Arkiv - Marshi per te Zhdukurit Foto: Atdhe Mulla

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur: Deklarata për të pagjeturit, detyron Serbinë t’i hap arkivat

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka reaguar përmes një komunikate për media pas dakordimit për deklaratën për personat e zhdukur, që sipas tyre nënkupton hapjen e arkivave të Serbisë mbi vendndodhjen e personave të zhdukur.

“Me anë të kësaj deklarate Serbia detyrohet të marrë përsipër hapjen e arkivave dhe prezantimin e dokumenteve sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë” – thuhet në komunikatën e Komisionit Qeveritar

Tutje në këtë postim bëhet ditur se deklarata e djeshme do të miratohet në takimin e radhës të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Dje, pas më shumë se 1 vit negocimi në Bruksel, Serbia më në fund pranoi deklaratën për personat e zhdukur (e cila pritet të miratohet nga Kryeministri Kurti dhe Vuçiq në ditët në vijim). Për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vitesh arritëm ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjësisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare” – thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, sapo të pranohet deklarata nga niveli i lartë, do të publikohen edhe hapat e ardhshëm të nevojshëm për zbatimin e kësaj deklarate

Tutje në këtë njoftim bëhet e ditur se më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka thënë se dakordimi për deklaratën për të pagjeturit është hapi i parë për zbatimin e planit të Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministri për dialog i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori serb Petar Petkoviq dje nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak zhvilluan takimin e radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha që kanë diskutuar për çështjen e të pagjeturve mirëpo nuk përmendi ndonjë dakordim për tekst.

Ai po ashtu paralajmëroi mundësinë e mbajtjes së një takimi të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Patëm një dakordim fillestar që takimi i radhës në nivelin e lartë të mbahet më 22 prill, por kjo nuk është e sigurt sepse ka indikacione që presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm apo nuk mund të vijë më këtë datë, kështu që jemi duke shqyrtuar datë alternative. Ideja është që në këtë datë të prezantohet një draft fillestar i grupit të menaxhmentit” – ka thënë Bislimi.

Në anën tjetër, kryenegociatori serb Petar Petkoviq, tha se janë dakorduar për tekstin për të pagjeturit.

“Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë”- ka thënë Petkoviq.

Dakordimi për marrëveshjen për të pagjeturit ose të zhdukurit me dhunë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se është arritur qysh më 18 gusht të vitit të kaluar.

Çështja e personave të zhdukur ka qenë një ndër çështjet urgjente të aneksit të dakorduar më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Aneksi është pjesë e marrëveshjes bazë të Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi të dakorduar më 27 shkurt.

Kjo marrëveshje është përmendur në publik edhe me emrin plani franko-gjerman.

Marrëveshja bazë ka 11 nene, ndërsa aneksi për zbatimin e kësaj marrëveshje ka 12 pika.

As për marrëveshjen bazë e as për aneksin nuk janë hedhur nënshkrime, ndonëse BE ka deklaruar se kjo është marrëveshje, duke kërkuar me ngulm nga palët që të fillojnë me zbatimin e saj.

Borrell: BE do ta mbështesë miratimin e marrëveshjes për të pagjeturit në takimin Kurti – Vuçiq