Komisioni për të Drejtat e Njeriut pajtohet për komision hetimor për vdekjen e 26 vjeçarit

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka diskutuar sot për vdekjen e 26 vjeçarit në karantinë në Qendrën e Studentëve.

Anëtarja e këtij komisioni nga PDK, Valdete Idrizi tha se anëtarët një zëri janë pajtuar që të formohet një komision hetimor për rastin e tij.

“Sot u përmend edhe propozimi i PDK-së që të iniciohet një komision i posaçëm hetimor për vdekjen e 26 vjeçarit dhe natyrisht që si komision e kemi shprehur gatishmërinë me e përkrahë. Të gjitha anëtarët e kanë përkrahë një zëri këtë dhe treguan bashkëpunim”, tha Idrizi për media.

Sipas saj, po ashtu është marrë vendim në këtë komision që të vizitojnë Qendrën e Studentëve që aktualisht është duke u përdorur si karantinë.

“Njëra prej diskutimeve edhe prej vendimet që i morëm edhe si komision është të shkojmë të vizitojmë Qendrën e Studentëve dhe aeroportin si dhe kontrollet në pikat kufitare”, shtoi Idrizi.

Të dielën në mbrëmje, një 26 vjeçar që ishte kthyer nga Gjermania dhe ishte karantiuar në konviktet e Qendrës së Studentëve ka vdekur në rrethana ende të pasqaruara, derisa prokuroria ka nisur hetimet.

Personi që vdiq te konviktet është një 26-vjeçar nga Gjilani

.