Komisioni për të Drejtat e Njeriut miraton projektligjin për aderimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka miratuar sot Projektligjin për aderimin në Marrëveshjen për Statusin dhe Funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

Kryetarja e Komisionit, Duda Balje ka thënë se është hapur mundësia për Kosovën për të qenë pjesë e institucioneve, për të marrë informacione dhe për të qenë pjesë e shteteve që kanë problem me personat e zhdukur.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi tha se projektligji është i rëndësishëm dhe beson se do të marrë votat e mjaftueshme.

“Është shumë e rëndësishme, që ky projektligj të dërgohet në Kuvend. Besoj qe do të ketë votat e mjaftueshme. Do të ketë diskutime të deputetëve dhe po flas në emër të AAK-së, do ta kemi një dakordim dhe diskutim”- tha Bytyqi.

Deputetja e LVV-së, Labinotë Demi-Murtezi tha se Kuvendi nuk ka hezituar që të votojë për të drejtat e njeriut.

“Marrë parasysh se gjithmonë për të drejtat e njeriut, Kuvendi nuk ka hezituar të votojë, kjo është e një lloji më të veçantë dhe shpresoj që të futet sa më shpejt në agjendën e Kuvendit”- u shpreh ajo.

Edhe Fatmire Kollçaku nga LVV-ja konsideroi këtë projektligj të rëndësishëm, teksa shtoi se vetë ajo por edhe grupi i saj parlamentar, do ta mbështesë këtë iniciativë ligjore.

Pas votimit në Komision, projektligji për aderimin në Marrëveshjen për Statusin dhe Funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur do të procesohet në Kryesinë e Kuvendit, për t’u vendosur në agjendë të seancës plenare.

Për miratimin e këtij projektligji, nevojitet mbështetja e 80 deputetëve të Kuvendit.

Para se ky projektligj të shkonte në këtë Komision, më 26 prill kabineti qeveritar kishte marrë vendim për ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin dhe Funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti pati thënë se Qeveria është e përkushtuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur duke shtuar se në shërbim të kësaj po iniciojnë aderimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICNP).

Nga lufta e fundit në Kosovë, janë të zhdukur mbi 1,600 persona.