Foto: Facebook / Qendra e Studentëve - Prishtinë

Personi që vdiq te konviktet është një 26-vjeçar nga Gjilani

KALLXO.com ka raportuar sot se një person ka vdekur pasi dyshohet se ka rënë nga një prej konvikteve në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Viktima është 26-vjeçar nga komuna e Gjilanit.

Mjeku Gëzim Mustafa nga Klinika Emergjente ka konfirmuar për KALLXO.com se viktima kishte arritur në QKUK me fraktura të rënda në kokë.

“Rreth orës 17:45 kemi konstatuar vdekjen e pacientit. Ka ardhur me shenja të rënda në bazën e kokës, trupit dhe me gjakderdhje dhe lëndime vdekjeprurëse”, ka thënë Mustafa.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar disa minuta më parë edhe Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, sot rreth orës 17:20, ekipet e Emergjencës dhe Policia kanë shkuar te Qendra e Studentëve dhe nje person është përcjell me autoambulancë në drejtim të Klinikës Emergjente.

“Njësitet e Policisë dhe Forenzika kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas procedurave hetimore do të sqarohen rrethanat tjera “, tha për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

Konviktet në Qendrën e Studentëve janë shndërruar në karantinë që nga paraqitjet e rasteve të para të të sëmurëve me COVID-19.

Aty janë të vendosur dhjetëra qytetarë të Kosovës, të cilët kanë ardhur nga vendet e jashtme si masë e parandalimit të përhapjes së pandemisë.