Komisioni për të drejtat e njeriut miraton në parim projektligjin për liritë fetare

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë dites


Më shtatë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni për të Drejtat e Njeriut i Kuvendit të Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për Lirinë Fetare në Kosovë.

Kryetarja e komisionit, Duda Balje tha se Lista Serbe nuk kanë dërguar deputetë përfaqësues në këtë mbledhje duke qenë se ky Ligji është vital dhe kërkon 2/3 e votave.

Anëtarët e komisionit thanë se njëri nga problemet në procesin e miratimit të këtij Projektligji në seancë, është mungesa e deputetëve të Listës Serbe në seanca të Kuvendit.

“Ne kemi pas përvojë edhe në 2018 kur e kemi pas këtë ligj në tavolinë. Nëse nuk kemi vota komplet puna do të jete zbrazët. Prej sot mundemi me definu që nuk mund të kemi sukses me këtë ligj duke pas parasysh tash si është puna në Kuvend” – tha Balje.

Ajo ka thënë se i bën thirrje publike Listës Serbe të marrë pjesë në votimin e këtij Projektligji.

Ndërsa deputetja Eliza Hoxha ka thënë se duhet diskutuar me deputetët e komunitet serb qe të marrin pjesë në diskutime dhe në votim të këtij projektligji.

“Ne nuk mund te punojmë mbi këtë ligj pa e miratu në parim dhe në Kuvend. Për mu brenga kryesore është duke e dit mungesën e Listës Serbe në Kuvend. Nëse ka vullnet me diskutu me komunitetin serb me qenë pjesë e procesit është rrugë e mirë. Por ne në start e dijë që nëse nuk i kemi 2/3 ligji ka me mbet nëpër Kuvend” – tha ajo.

Tash e 16 vjet Kosova është duke funksionuar me Ligjin e njëjtë për Liritë Fetare, i cili ka lënë të parregulluara shumë çështje, duke përfshirë edhe regjistrimin e bashkësive fetare.

E më 25 janar, Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për plotësim ndryshimin e Ligjit për Liritë Fetare.

Përveç regjistrimit të bashkësive fetare, projektligji në fjalë do të rregullojë edhe çështjen e caktimit të vendeve të varrezave, ritet e varrimit, fondet për bashkësitë fetare, e raportimin financiar të tyre.

Në këtë projektligj është paraparë edhe dhënia e fondeve për bashkësitë fetare, por që nuk është përcaktuar vlera e tyre.