Vendi ku dyshohet se ka trupa të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë - Foto: ZKM
Komisioni i Serbisë ndërpret punimet në vendin e dyshuar për mbetje mortore të personave të zhdukur në Shtaval
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Kosovës ka njoftuar se Komisioni i Serbisë i ka ndërprerë kërkimet në lokacionin e shënjuar në afërsi të Minierës në Shtaval.
Sipas njoftimit, thuhet se delegacioni i Kosovës ka kërkuar në vazhdimësi nga përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë, që të ndajnë çdo informatë që mund të kenë në arkivat e tyre, por edhe informatat e siguruara ndërkohë për këtë lokacion, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Mosdhënia e informacioneve shtesë të kërkuara nga Komisioni i Republikës së Kosovës, përveç që tregon mosbashkëpunim të institucioneve të Serbisë, dëshmon edhe mosgatishmërinë dhe mungesën e angazhimit serioz e të sinqertë të palës serbe për të ndriçuar fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së viteve 1998 – 99 në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Gërmimet që kishin filluar më 10 maj nuk kanë rezultuar me gjetjen e vendvarrezës masive me mbetjet mortore të viktimave të luftës.
“Andaj për shkak të specifikave të terrenit dhe lokacioneve të tilla të përdorura nga forcat ushtarake dhe policore serbe gjatë luftës për zhdukjen e kufomave, në përpjekjen e tyre për fshehjen e gjurmëve të krimit, mbetet krucial sigurimi i informatave plotësuese në veçanti nga arkivat e institucioneve të Serbisë”, theksohet në njoftim.