Vendi ku dyshohet se ka trupa të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë - Foto: ZKM
Fillojnë gërmimet vlerësuese afër një miniere në Serbi, dyshohet për një varrezë me trupa të shqiptarëve të Kosovës
Në afërsi të minierës në Shtaval të Serbisë kanë filluar gërmimet vlerësuese për gjetjen e mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes Qeveria e Kosovës.
“Në kërkim të mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, nga sot është filluar me gërmimet vlerësuese në lokacionin e shënjuar në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sijenicës, në territorin e Serbisë”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se gërmimet kanë filluar pasi në fund të javës së kaluar, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë siguruar imazhet satelitore, të cilat në ditët në vijim do të analizohen nga ekspertët me qëllim të saktësimit të lokacionit të mundshëm të varrezës masive.
Në ditën e parë të gërmimeve vlerësuese, të pranishëm në lokacion nga Kosova ishin përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ekspertët nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, përfaqësues nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq si dhe nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur. Ekspertët mjekoligjorë të Kosovës do të vazhdojnë të qëndrojnë në lokacion për t’i vëzhguar punimet gjatë periudhës në vijim.