KOMF

KOMF reagon pas publikimit të artikullit të KALLXO.com për 5-vjeçarin që po i ndalohet shkollimi për shkak të flokëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, ka reaguar pas publikimit të artikullit të KALLXO.com “Ferizaj, drejtoresha e largon 5-vjeçarin nga shkolla për shkak të flokëve të gjata”.

KOMF ka bërë të ditur se  do t’i drejtohet me një kërkesë Drejtorisë Komunale të Arsimit në Ferizaj për ta trajtuar me urgjencë këtë rast.

“KOMF konsideron si shumë shqetësues largimin e fëmijës nga klasa parafillore për shkak të “flokëve të gjatë”, duke mohuar kështu të drejtën e fëmijës për arsim. Mbrojtja nga diskriminimi, trajtimi i barabartë dhe e drejta për arsim garantohen dhe mbrohen me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutën për Republikës së Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës dhe Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi”- thuhet në reagimin e KOMF.

KOMF po ashtu ka thënë se është e domosdoshme të bëhet “rishikimi i rregulloreve të cilat përmbajnë dispozita diskriminuese për fëmijët”.

“Komunat duhet të sigurojnë që rregulloret e hartuara brenda shkollave dhe komunave, të jenë në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës dhe ligjet e tjera në fuqi që rregullojnë të drejtat e fëmijëve” – thuhet në reagim.

KALLXO.com ka raportuar më 11 tetor 2022 se një fëmijë pesëvjeçar nuk është lejuar të ndjekë mësimin në shkollën fillore “Jeronim de Rada” për shkak të flokëve të gjata.

Inspektorati i Arsimit ka bërë të ditur se sot janë takuar me zyrtarë nga Drejtoria e Arsimit (DKA) në Ferizaj për të diskutuar pas raportimit të KALLXO.com  për 5-vjeçarin që u largua nga shkolla për shkak të flokëve të gjata.

Bujar Bajrami nga zyra e Inspektoratit të Arsimit ka bërë të ditur se tani janë duke përgatitur rekomandimet që E.I. të kthehet nesër në shkollë.

“Rekomandimet do t’i japim me shkrim dhe rekomandimi është që nxënësit me iu mundësu që me vazhdu mësimin e rregullt. Ky rast përfundon me kthimin e nxënësit në shkollë”- ka thënë Bajrami.

Inspektorati i Arsimit: Rasti i 5-vjeçarit përfundon me kthimin në shkollë