Vjosa Osmani, Ejup Maqedonci dhe Bashkim Jashari. Foto: Vjosa Osmani/Facebook

Komandantja Supreme: Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës

Komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani ka është takuar me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Osmani tha se në këtë takim ka përgëzuar ministrin e komandantin për angazhimin e institucioneve të mbrojtjes në misionin e shenjtë që ato kanë.

Presidentja tha se Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës, si partnere e besueshme e ushtrive aleate në NATO.

Institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në aleancën më të madhe ushtarake në botë – NATO, si garanci për sigurinë në vend për shkak të kërcënimeve nga Serbia.

Thirrjet janë shtuar veçanërisht pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar, nga ana e një grupi të armatosur serb, në krye Millan Radoiçiqin – në atë kohë nënkryetar i Listës Serbe, partisë politike më të madhe të serbëve të Kosovës.

Si pasojë e sulmit u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku e dy të tjerë u lënduan. Policia e Kosovës gjeti armatim të konsiderueshëm në zonën e fshatit ku ndodhi mobilizimi i grupit.

Autoritetet e Kosovës demaskuan grupin, përmes publikimit të pamjeve me dron të cilat shfaqën edhe fytyrën e Millan Radoiçiqit. Për këtë të fundit ka lëshuar fletëarrestim organizata më e madhe ndërkombëtare e policisë, INTERPOL.