Gjenerallejtnant Rrahman Rama, komandant i FSK-së. Foto: Kallxo.com

Komandant Rrahman Rama: Prindon Sadriu s'ka pasur urdhër ta veshë uniformën në “Defender Europe 21”

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Rrahman Rama, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se për ceremoninë e përmbylljes së ushtrimit “Defender Europe 21”, nuk ka pasur urdhër mobilizimi për trupat rezervë.

“Nuk ka pasur urdhër për mobilizimin e stafit rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Rama.

Ai tha që as burri i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu i cili është pjesëtar i komponentës rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nuk ka pasur urdhër për të veshur uniformën.

“As Prindon Sadriu nuk ka pasur urdhër ta veshë uniformën. Ajo ditë më shumë ka qenë ceremoniale. Pjesa rezervë e kanë uniformën në shtëpinë e tyre. Uniforma vishet me autorizim, por ajo ditë ka qenë ditë ceremoniale, është çështje personale për ceremoninë, mund ta vesh, pse jo”, tha ai për KALLXO.com.

Në ceremoninë e përmbylljes së ushtrimit “Defender Europe 21”, përkrah presidentes Vjosa Osmani, kishe marrë pjesë edhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu.

Prindon Sadriu, i veshur me uniformën e FSK-së, duke shikuar në armën e ekspozuar gjatë ushtrimit “Defender Europe 21”. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në këtë ceremoni ai ishte shfaqur i veshur më uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesë e së cilës është si trupë rezervë.

Për veshjen e zotëriut të parë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, kishte thënë se e ka ‘zbehur imazhin e FSK-së’.

“Ushtarët e FSK-së me krenari ishin përgatitur për të dalë të suksesshëm në këtë organizim, por imazhi i FSK-së u zbeh dhe i ngjarjes në përgjithësi dhe kjo u bë nga institucionet e vendit. Pjesëmarrja e bashkëshortit të presidentes në uniformë, i zbehu imazhin Kosovës, prandaj kam disa pyetje. Çfarë garde mban bashkëshorti i presidentes Osmani? Kur ka mbajtur ai trajnime, a ka pasur ftesë për pjesëmarrje dhe nga kush është ftuar? Nëse nuk ka pasur ftesë, në çfarë cilësie ai ka marrë pjesë, dhe pse ka veshur uniformën e FSK-së?”, tha Musliu në Kuvend më 3 qershor.

Forca e Sigurisë së Kosovës me 330 ushtarë, ka marrë pjesë në stërvitjen “Defender-Europe 21”, ushtrimet e së cilës në Kosovë janë zhvilluar nga data 17 maj deri më 29 maj dhe arena e trajnimeve ka qenë në fshatin Babaj i Bokës në Gjakovë.

Kosova është një prej 16 vendeve pritëse të “Defender Europe 21”, që është një stërvitje e përbashkët mbrojtëse shumëkombëshe e drejtuar nga ushtria amerikane. Në “Defender-Europe 21”, morën pjesë 27 shtete me mbi 28 mijë ushtarë.