Arkiv
Koalicioni Joformal për Ballafaqimin me të Kaluarën reagon ndaj deklarateve të deputetes së LVV-së
Koalicioni Joformal për Ballafaqimin me të Kaluarën e ka quajtur denigrues dhe ka kërkuar nga institucionet e vendit të dënojnë deklaratat e deputetës së Lëvizjës Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu- Hyseni, e cila gjatë një emisioni televiziv kishte thënë se “çështja e të pagjeturve shqiptarë është më prioritare sesa çështja e të pagjeturve serbë”.
“Çështja e të pagjeturve të popullit shqiptar duhet me u trajtu me seriozitet edhe me prioritet të lartë dhe pastaj kur t`i vie radha të flasim edhe për të pagjeturit serb. Mirëpo këtu nuk ka barazim të çështjes sepse kanë qenë serbët ata që kanë kryer krime ndaj popullit shqiptar, kemi qenë ne pjesë e gjenocidit që është ushtru ndaj neve” për më tepër, deputetja Kryeziu tha se “Kështu që nuk mundemi me krahasu dëmin ndaj popullit shqiptar, më këto kërkesa për ata pak persona të humbun nga lufta e fundit”, kishte thënë deputetja më 15 qershor në emisionin ‘Rubikon’ në Klankosova.
Tutje ky koalicion tha se, ngritja e diskursit se për Qeverinë duhet të jetë prioritet vetëm trajtimi i krimeve të kryera ndaj një grupi etnik është në kundërshtim me Kushtetuën e Kosovës si dhe me parimet e drejtësisë tranzicionale
“Një qasje e tillë e dëmton dukshëm procesin e pajtimit. Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Prokuroria e Shtetit, institucionet e drejtësisë dhe mbarë shoqëria duhet të kenë qasje të barabartë në trajtimin e viktimave të luftës, vetëm kështu do të mund të arrijmë të krijojmë një shoqëri paqësore dhe të barabartë. Koalicioni ua rikujton deputetëve/eve e politikanëve/eve, përgjegjësinë ligjore dhe morale që kanë për t’iu shmangur deklaratave përgjithësuese gjatë paraqitjeve të tyre publike, duke u bazuar gjithmonë në prova të argumentuara gjyqësore dhe hetimore”, thuhet në reagimin e Koalicionit Joformal për Ballafaqimin me të Kaluarën.