Prezantimi i raportit të KMShK për lajmet e rreme, 19 korrik, 2022/ Foto: KALLXO.com

KMShK: Redaksitë kanë mungesë të stafit për të luftuar dezinformatat

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka prezantuar raportin “Keqinformimi, dezinformimi dhe lajmet e rreme në mediat online në Kosovë”, në të cilin theksohet mungesa e stafit profesional nëpër redaksi dhe mosbashkëpunimi me verifikues të fakteve në vend.

Ky raport i KMShK-së, pasqyron gjendjen e redaksive në Kosovë në përgjithësi dhe trajton çështjen e publikimit të lajmeve të rreme dhe dezinformatave.

Sipas raportit, në përgjigjet e anketimit, metodë kjo e përdorur për këtë hulumtim, del se redaksitë përballen me një numër të vogël redaktorësh, lektorësh, praktika të paqarta të respektimit të Kodit të etikës së gazetarisë.

Në raport theksohet se, bazuar në përgjigjet e anketave, mediat nuk ndërmarrin ndonjë hap konkret ndaj një gazetari për të cilin është konstatuar që ka bërë shkelje, duke mundësuar kështu sipas raportit, prodhimin e lajmeve të rreme.

Tutje në raport thuhet se shqetësues është edhe fakti se mediat e anketuara në asnjë rast nuk e kanë përmendur ndonjë bashkëpunim konkret me verifikues të fakteve.

“Kështu verifikimi i fakteve bëhet nga vetë mediumi, nga stafi i papërgatitur për këtë detyrë, duke vështirësuar kështu procesin e konstatimit të vërtetësisë së një lajmi a deklarate të publikuar nga mediat e tjera”, potencohet në raportin e KMShK-së.

Disa nga rekomandimet që janë nxjerrë nga raporti, theksohet se mediat në vend duhet t’i demantojnë dezinformatat apo keqinformatat që qarkullojnë në internet dhe se gazetarët duhet ta kenë parasysh që në punën e tyre bën pjesë edhe angazhimi në demaskimin e dezinformatave dhe në luftimin e çrregullimeve informative.

“Institucionet qeveritare duhet të reagojnë duke shtruar edukimin medial në shoqëri”, thuhet në njërin nga rekomandimet e këtij raporti.

Në fjalën e tij, drejtori ekzekutiv i KMShK-së, Imer Mushkolaj, përmendi identifikimin e lajmeve të rreme për çështje të cilën ai tha se duhet të jetë detyrë parësore e gazetarëve.

“Kur flasim për identifikimin dhe luftimin e lajmeve të rreme dhe dezinformimit, duhet të kemi parasysh se kjo nuk është vetëm detyrë e organizatave ose organizmave që merren mediat, kjo është dhe duhet të jetë detyrë parësore e secilit gazetarë dhe gazetare për shkak se vetë idea se lajme të tilla po shpërndahen me shpjetësi të madhe, shton nevojën e identifikimit sa më të shpejtë”, tha Mushkolaj.

Mushkolaj ka ritheksuar se gjatë hulumtimit ka parë që mungesa e stafit profesional nëpër redaksi ka ndërlidhje të drejtpërdrejtë me identifikimin e lajmeve të rrejshme.

“Gjatë hulumtimit kemi parë që mungesa e stafit profesional nëpër redaksi ka ndërlidhje të drejtpërdrejtë me identifikimin e lajmeve të rrejshme, sidomos në këtë periudhë kur kemi të bëjmë me raportime edhe për luftën në Ukrainë dhe raportimet për pandeminë”, u shpreh ai.

Tutje, Mushkolaj tha se mosbashkëpunimi me verifikues të fakteve ose organizata që merren me verifikim të fakteve është një mungesë tjetër.

“Një mungesë tjetër ka të bëjë me mos-bashkëpunimin me verifikues të fakteve ose me organizata që merren me verifikim të fakteve. Brenda redaksive në masë të madhe mungojnë procedura që mund të mos jenë të shkruara por, duhet të kuptohen nga stafi redaktorial që kanë të bëjnë me verifikimin e lajmeve përpara se të publikohen”, deklaroi Mushkolaj.

Se mungesa e stafit profesional është një gjetje tjetër e raportit, e ka potencuar edhe vetë autori i këtij raporti, Qerim Ondozi.

Ai tha se konkretisht redaksitë përballen me mungesë të lektorëve dhe redaktorëve.

“Është problemi në hallkën të cilën e kemi identifikuar ne, pra mungesa e një hallke në zinxhirin e raportimit më konkretisht, kemi hasur në mungesën e lektorëve dhe redaktorëve nëpër media për arsye të ndryshme, për arsye se kemi media me staf tëe vogël, problem me rekrutimin e tyre e kështu me radhë”, ka thënë Ondozi.

Raporti “Keqinformimi, dezinformomi dhe lajmet e rreme në mediat online në Kosovë”, përfshinë analizën e dokumenteve dhe raporteve, pyetësorin me anëtar të Këshillit dhe gazetarët si dhe intervistat me akterë relevantë.

Realizimi i këtij raporti është bërë me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN Kosova).