KMDLNJ: Rakiq e njeh për kryetar Vuçiqin e merr paga nga taksapaguesit kosovarë

Vendosja e orës policore në komunat me shumicë serbe me rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë sipas KMDLNJ-së  është përpjekje për të shpëtuar nga përgjegjësia kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe  kryeministrin Hoti.

Përmes një njoftimi Këshilli ka thënë se Rakiq e njeh për kryetar  Vuçiqin në ndërkohë  merr pagë dhe shfrytëzon beneficione nga taksat e taksapaguesve kosovarë.

Sipas tyre  këtë masë kufizuese në veri e kishte vendosur zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq e që ishte zbatim i vendimit të Qeverisë së Serbisë sepse u vendosën në të njëjtën kohë.

“Deklaratat e Goran Rakiq për vendosjen e masave shtrënguese në komunat me shumicë serbe janë publike, të incizuara dhe nuk lënë asnjë mundësi për keqkuptim , aq më parë që këto janë dhënë para vendimit të Qeverisë së Kosovës e që nënkupton se Qeveria e Kosovës e ka noterizuar kundërligjshëm një vendim të Qeverisë së Serbisë” shkruan KMDLNJ.

Për këtë arsye KMDLNj kërkon përgjegjësi për Goran Rakiq, ministrin Zemaj dhe kryeministrin Hoti sepse sipas tyre Rakiq  me deklaratat  publike dhe me veprime konkrete punon kundër shtetit të Kosovës për interes të Serbisë dhe për Aleksandar Vuçiq.

Sipas tyre ministri Zemaj dhe kryeministri Hoti po e mbrojnë Goran Rakiqin duke e paraqitur vendosjen e orës policore në veri të Kosovës në mënyrë të shtrembëruar , të pavërtetë duke manipuluar me opinionin.

Ndalimi i lëvizjes për shtatë ditët e ardhshme u njoftua nga zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Pushtetit Lokal, Goran Rakiq, në një konferencë për media.