Trajtimi joprioritar i sulmeve ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBTI
Sistemi i drejtësisë vazhdon të ketë probleme të mëdha në trajtimin e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.
Të dhënat statistikore të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës tregojnë që gjykatat kanë zgjidhur vetëm 3 raste, nga 18 sa janë të hapura për vepra penale të sulmeve e kërcënimeve ndaj gazetarëve.
Situatë e ngjashme është edhe në trajtimin e lëndëve të sulmeve ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI të cilat ende nuk janë zbuluar. Nga 11 rastet e hapura brenda 4 vitesh vetëm 7 raste janë zbardhur nga prokuroria, ndërsa të dhënat tregojnë se vetëm një rast është gjykuar përfundimisht nga gjykata.
Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.
Statistikat e rasteve ndaj gazetarëve të publikuara në databazë tregojnë efikasitet të ulët të gjykatave në trajtimin e rasteve.
Të dhënat e institucioneve të grumbulluara për 4 vite, përfshirë vitet prej 2016-2020, tregojnë se për veprat penale ndaj gazetarëve gjatë këtyre viteve janë ngritur gjithsej 18 aktakuza nga ana e prokurorit të shtetit, ndërsa gjatë këtyre viteve nga ana e prokurorit është paraqitur vetëm një kërkesë për masën e paraburgimit.
Për 4 vite nga 45 raste të paraqitura, prokurori i shtetit ka zbardhur vetëm 21 duke lënë edhe 24 pa i përfunduar.
Prokuroria e Shtetit para disa vitesh kishte prioritizuar hetimet e sulmeve dhe rasteve kur gazetarët ishin viktima ndërsa në Policinë e Kosovës hetimi i rasteve të gazetarëve ishte bartur në njësinë e krimeve të rënda me qëllim të rritjes së efikasitetit në hetime.
Të dhënat statistikore përkundër që tregojnë nivel të lartë të zbulimit të kryerësve dëshmojnë që ata që dyshohet se i kanë kryer këto vepra ende nuk janë akuzuar-gjykuar.
Vetëm 3 nga 18 aktakuzat janë trajtuar nga gjykatat dhe prej tyre sulmuesit e gazetarëve në dy raste kanë marrë urdhër ndëshkimor dhe vetëm në një rast është shqiptuar një dënim.
Analiza e të dhënave statistikore tregon që në sistemin gjyqësor nuk ka një prioritizim të trajtimit të rasteve të sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve.
Përderisa policia dhe prokuroria kanë emëruar zyrtarët përgjegjës të cilët hetojnë dhe mbikëqyrin rastet në gjykata nuk ka kordinatorë të tillë dhe gjykimi i rasteve vije sipas radhës pa pasur ndonjë prioritizim.
Përjashtim bën Gjykata e Prishtinës që e ka të caktuar një gjyqtar për trajtim të rasteve të gazetarëve.
Sipas ligjeve aktuale vetëm Këshilli Gjyqësorë i Kosovës është mekanizëm që mund të vendosë që një çështjeje të caktuar t`i jepet prioritet në zgjidhje nga gjykatat e vendit.
Një qëndrim i tillë nuk është marrë asnjëherë nga KGJK dhe si rrjedhojë krimet ndaj gazetarëve kanë mbetur në regjistrat e krimeve ordinere me të cilat gjykatat janë të stërngarkuara.
Me qëllim të ngritjes së efikasitetit, zbatimit të ligjshmërisë, e zbatimit unik të praktikave dhe legjislacionit, Zyra e Prokurorit të Shtetit në prill të vitit 2021 ka nxjerrë udhëzim detyrues lidhur me mbrojtjen e burimeve të gazetarisë.
Udhëzimi ka detyruar prokurorët e Prokurorive Themelore, Apelit dhe Prokurorisë Speciale që të e zbatojnë në mënyrë unike ligjin për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë.
Në kuptim këtij ligji gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medias kanë të drejtën e heshtjes rreth burimeve të tyre të informacionit me përjashtim të disa rasteve.
Kjo i referohet çështjes se nuk mund të detyrohet të zbulojnë identitetin e burimeve të tyre të informacionit, identitetin e një autori të një teksti, përmbajtjen e informacioneve dhe vetë dokumenteve, nëse kjo gjë mund të çojë tek identifikimi i burimit.
Moszbatimi i këtij udhëzimi detyrues është paraparë si fillim i procedurës disiplinore dhe do jetë objekt vlerësimi nga Njësia për vlerësimin e performancës në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Udhëzimi në fjalë përveç prokurorive i është dorëzuar edhe Policisë së Kosovës.
Puna e prokurorisë për veprat ndaj gazetarëve
Statistikat nga databaza e BIRN, tregojnë se për vitin 2016 gjithsej për punë kanë qenë 8 raste, prej të cilave 4 në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, 3 në atë të Mitrovicës dhe 1 në Prokurorinë Themelore të Gjilanit.
Prej 8 rasteve në prokuroritë në Kosovë, 5 prej tyre janë zgjidhur nga prokuroritë, ku prokuroria e Mitrovicës dhe ajo e Gjilanit i kanë dhënë zgjidhje të gjitha rasteve që kanë qenë të raportuara.
Ndërsa Prokuroria e Prishtinës ka treguar mosefikasitet në trajtim të këtyre rasteve pasi vetëm 1 prej 4 rasteve është finalizuar me një akt të prokurorit, ku janë filluar hetimet për rastin.
Ndërsa Mitrovica e ka mbyllur vitin 2016 me 3 aktakuza, 1 prej tyre e drejtpërdrejt, ndërsa 2 me urdhër ndëshkimor, pra ka trajtuar të gjitha rastet.
Po ashtu edhe Gjilani 1 rast të raportuar, për të njëjtin ka filluar hetimet.
Viti 2017 përsëri tregon se Prokuroria e Prishtinës nuk ka arritur të i zgjidhë të gjitha raportimet për veprat ndaj gazetarëve, ku nga 3 raste sa ka pasur në total, 2 prej tyre nuk janë përfunduar me akt të prokurorit.
Ndërsa kjo prokurori për 1 rast ka ngritur aktakuzë me kërkesë për urdhër ndëshkimor.
Për dallim, Prokuroria e Mitrovicës dhe ajo e Gjilanit i kanë trajtuar të gjitha raportimet e paraqitura, ku Prokuroria e Mitrovicës ka pas në punë 1 rast për të cilin ka ngritur aktakuzë, ndërsa ajo e
Gjilanit ka filluar hetimet për 1 rast që e ka pas në punë.
Viti 2017 në tri prokuroritë, shënoi gjithsej 5 raste.
Viti 2018 pason me 3 raste, gjatë vitit raportues ka qenë 1 rast, duke vazhduar me një rast të zgjidhur, e 2 kanë mbetur të pazgjidhura.
Pra vërejmë një ulje të raportimit të këtyre rasteve nëse krahasojmë 3 këto vite, prej 8 në 5, e duke pasuar në 3 raste në vitin 2018.
Te zgjidhja e këtyre rasteve vërejmë se në vitin 2016 dhe 2017 kemi mbi 50% të rasteve të zgjidhura.
Ndërsa më 2018- vërehet se ka ulje në zgjidhjen e këtyre rasteve, nga gjithsej 3 raste është zgjidhur 1 nga Prokuroria e Gjilanit, e cila kishte pranuar vetëm një rast dhe për të njëjtin ka filluar hetimet.
Ndërsa është Prokuroria e Prishtinës që ka pasur 2 në punë, dhe të 2 rasteve nuk i ka dhënë zgjidhje.
Në vitin 2019 shihet rritje e numrit të raportimeve, çështjeve penale që janë raportuar në Prokuroritë kompetente për hetim e procedim të mëtutjeshëm.
Në këtë vit shihet se në punë kanë qenë 13 raste, numri më i madh i tyre është në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, me 9 raste, ku prej tyre janë trajtuar 3 raste që kanë përfunduar me aktakuza, ndërsa kanë mbetur pa u trajtuar nga kjo prokurori 6 raportime.
Për dallim nga Prokuroria e Prishtinës, ajo e Prizrenit ka zgjidhur 100% të rasteve, ku prej 3 rasteve të raportuara për të njëjtat kanë filluar hetimet për këto vepra.
E ajo e Gjilanit nga 3 raste ka zgjidhur 2 prej tyre, po ashtu kjo prokurori ka bërë edhe një kërkesë për paraburgim.
Pra nëse bëjmë një analizë të këtyre statistikave të evidentuara në këtë vit, shohim se prokuroritë e ngarkuara me këto çështje penale iu kanë dhënë zgjidhje më pak se gjysmës së rasteve.
Ndërsa viti 2020, si vit i fundit i krahasimit të këtyre të dhënave lidhur me këto vepra penale, shohim një stad gati të njëjtë lidhur me efikasitetin e organeve të ndjekjes në trajtimin e këtyre rasteve, me vitin 2019.
Kjo në aspektin e paraqitjes se raportimeve ku, viti 2020 pason me 14 raste të raportuara.
Ndërsa ka rënie të efikasitetit në zgjidhjen e rasteve ku i janë dhënë zgjidhje 4 rasteve, ndërsa kanë mbetur 10 pa zgjidhje.
Prokuroria e Prishtinës prej 11 rasteve të raportuara ka arritur që vetëm për 1 rast të fillojë hetimet, ndërsa 10 kanë mbetur të patrajtuara.
Ndërsa Prokuroria e Mitrovicës dhe ajo e Gjilanit i kanë trajtuar të gjitha raportimet për këto raste.
Mitrovica për 1 rast të raportuar ka filluar hetimet, ndërsa ajo e Gjilanit për dy raste të raportuara ka ngritur 2 aktakuza.
Të dhënat e mësipërme dhe krahasimi i tyre është bërë në aspektin e numrit të raportimeve dhe kush është parashtrues i këtyre kallëzimeve.
Të dhënat e mëposhtme tregojnë për mënyrën e zgjidhjeve të rasteve të raportuara, pra trajtimin e tyre nga prokuroritë përkatëse.
Viti 2019 paraqet një ndryshim me vitet paraprake pasi kemi për herë të parë një kërkesë për masën e paraburgimit të paraqitur në gjykatën kompetente nga ana e prokurorit të shtetit.
E njëjta është gjetur edhe si e bazuar nga gjykata, pasi është aprovuar dhe ka dërguar në paraburgim kryesin/en e dyshuar për veprën në fjalë.
Edhe viti pasues, ai 2020, shihet se nga ana e prokurorit të shtetit është bërë një kërkesë për masën e paraburgimit, dhe që e njëjta është refuzuar nga ana e gjykatës.
Prej këtyre raportimeve 1 aktakuzë është ngritur si e drejtpërdrejt, ndërsa për dy raste kanë filluar hetimet, ndërsa janë ngritur 3 aktakuza pas periudhës hetimore.
Vendimet e gjykatave
Në vitin 2016 kemi vetëm 2 aktgjykime me urdhër ndëshkimor, për të pasuar në vitin 2017 ku të dhënat tregojnë se nuk është marrë asnjë aktgjykim.
Viti 2018 po ashtu nuk është evidentuar asnjë rast që tregon vendosje në këto raste, ose shqyrtime gjyqësore të përfunduara me një vendim të gjykatës.
I njëjti rezultat vazhdon edhe në vitin 2019, ndërsa viti 2020 është marrë vetëm një aktgjykim dënues për këto raste.
Këtu shohim një mospërputhje të trajtimit të rasteve nga prokuroria e gjykata, duke mos përjashtuar asnjëherë rolin e secilës veç e veç, por shohim se shumë pak raste ku aktakuzat i janë drejtuar për procedim gjykatave, kanë përfunduar me aktgjykime.
Pra mosefikasiteti gjyqësorit, tregon se ose rastet kanë mbetur në shqyrtimin gjyqësor, çka tregon zvarritje e mosrespektim të afateve për përfundimin e proceseve gjyqësore brenda afateve ligjore, ose nuk kanë filluar fare proceset gjyqësore.
Mungesa e trajtimit të rasteve të gazetarëve është përmendur edhe në raportin e indeksit të sigurisë së gazetarëve në Kosovë të publikuar nga AGK.
Në të dhënat zyrtare të AGK-së në vitin 2021 tregohet për 29 raste të raportuara ndaj gazetarëve, për dallim prej vitit 2020 ku kanë qenë të raportuara 24 raste.
Trajtimi i lëndëve të sulmeve ndaj komunitetit LGBTI
Të dhënat statistikore tregojnë mungesë efikasiteti edhe në trajtimin e rasteve të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj komunitetit LGBTI.
Në Kosovë ky komunitet në aspektin deklarativ është përkrahur, përfshirë këtu organizimin e paradës së krenarisë.
Edhe legjislacioni parasheh që personat që nxisin urrejtje apo kryejnë sulme të motivuara nga gjinia apo orientimi seksual të marrin dënime me burg deri në 5 vite.
Zyra e Prokurorit të Shtetit në përputhshmëri me legjislacionin e prokurorit të shtetit e me qëllim të përpjekjeve të institucioneve të Republikës së Kosovës në përmbushje të kritereve të përcaktuara në Udhërrëfyesin për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen të Bashkimit Evropian ka nxjerrë –Udhëzim për harmonizim të praktikave për kualifikim juridik të veprës penale ‘Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’.
Ky udhëzues është bërë pas nxjerrjes se ndryshimeve të Kodit Penal në raport me veprën ‘Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’.
Për veprën penale ‘Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’ që ndërlidhet me nxitje ose përhapje publikisht: urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, me udhëzimin në fjalë kërkohet që kjo vepër të trajtohet me efikasitet ngase konsiderohet sipas KPK me interes të veçantë.
Ndërsa është evidentuar se mosrespektimi i këtij udhëzimi mund të konsiderohet si shkelje e Kodit të etikës për prokurorë.
Por me gjithë legjislacionin efikasiteti i organeve të ndjekjes dhe të drejtësisë në zbardhjen e rasteve të sulmeve të motivuara nga orientimi gjinor lë për të dëshiruar.
Të dhënat tregojnë që nga 2016 deri më 2020 janë raportuar 11 raste, janë ngritur 5 aktakuza dhe është gjykuar vetëm 1 rast me aktgjykim dënues.
Se sa janë treguar efikas prokuroria në ndjekjen e këtyre rasteve, e gjykata në gjykimin e këtyre çështjeve penale që ndërlidhen me komunitetin LGBTI, i shohim përmes të dhënave ndër vite lidhur me trajtimin e këtyre rasteve.
Viti 2016 i ka zënë prokuroritë e shtetit me 3 raste në punë, ku 2 janë pranuar gjatë këtij viti, ndërsa prej këtyre rasteve është zgjidhur 1, e 2 raste kanë mbetur pa u zgjidhur nga prokuroritë.
Në këtë vit për 1 rast ndaj komunitetit LGBTI është ngritur 1 aktakuzë pas hetimeve nga Prokuroria e Gjilanit.
Pra mbi 60% e rasteve kanë mbetur të pazgjidhura nga prokuroritë për vitin 2016, këtu përfshihet Prokuroria e Prishtinës dhe ajo e Prizrenit të cilat kanë pas në punë nga 1 rast secila, e nuk janë trajtuar nga ana e tyre.
Karakteristikë si në këtë rast, si në ato të elaboruara më lartë është se paraqitës i kallëzimeve penale në prokuroritë përkatëse është Policia e Kosovës, ndërsa nuk ka raste që paraqiten nga institucionet e tjera direkt në prokuroritë e shtetit.
Ndryshe në vitin 2017, janë 2 raste në punë në Prokurori, në Departamentin për Krime të Përgjithshme, dhe që të dyja kanë mbetur të pazgjidhura nga prokuroritë.
Rastet kanë qenë në trajtim në Prokurorinë e Prizrenit dhe atë të Prishtinës.
Viti 2018 ka treguar ngritje të efikasitetit në trajtimin e rasteve ndaj komunitetit LGBTI, ku ka 100% zgjidhje të rasteve, prej 2 rasteve të paraqitura, të 2 rastet janë zgjidhur nga prokuroria brenda këtij viti, 1 nga ajo e Prishtinës që ka përfunduar me aktakuzë dhe 1 nga Prokuroria e Prizrenit për të cilin rast janë filluar hetimet.
Të 2 rastet janë trajtuar në Departamentin e Përgjithshëm.
Ndërsa për dallim nga vitet paraprake, viti 2019 evidenton edhe raste të trajtuara e që janë në kompetencë në Departamentin për Krime të Rënda.
Në total janë paraqitur 4 raste, 2 për trajtim në Departamentin për Krime të Rënda dhe 2 raste në trajtim në Departamentin për Krime të Përgjithshme.
Për 2 raste Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuza po ashtu edhe 1 aktakuzë është ngritur nga Prokuroria e Gjilanit, e për 1 rast kanë filluar hetimet.
Viti 2019 tregon rritje të efikasitetit në trajtim të rasteve në kuptim të numrit të rasteve që janë zgjidhur nga prokuroria, ku nga 4 rastet në punë, të 4-at janë zgjidhur.
Ndërsa në vitin 2020 nuk është raportuar asnjë rast për vepra penale të mundshme të kryera ndaj komunitetit LGBTI.
Pas veprimeve që janë marrë nga ana e organi ndjekës -Prokuroria e Shtetit, më poshtë gjejmë të dhënat lidhur me vendosjen e çështjeve penale në fjalë nga gjyqësori.
Për 3 vite: 2016, 2017, 2018, gjykatat në Kosovë nuk kanë marrë asnjë vendim përfundimtar nga shkalla e parë për zgjidhjen e këtyre çështjeve në mënyrë meritore.
Nuk ka të dhëna për të treguar në çfarë faze kanë mbetur procedurat gjyqësore, por mund të konkludohet se këta tregues pasqyrojnë mosefikasitet e zvarritje të proceseve gjyqësore, me theks të veçantë në vitin 2016, 2017, 2018.
Fakti që procedurat në gjykata nuk kanë përfunduar brenda afateve kohore mbështetet edhe në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, që rregullojnë kohëzgjatjen maksimale të trajtimit të një dosje penale në gjykatë.
Rastet që gjykohen para gjyqtarit të vetëm duhet përfunduar brenda 90 ditëve, e ato para trupit gjykues brenda afatit prej 120 ditëve.
Andaj fakti se nuk janë nxjerrë aktgjykime për këto raste brenda vitit, tregon mosefikasitet të gjykatave në trajtimit e këtyre rasteve brenda afateve kohore.
Ndërsa në vitin 2019, gjykatat kanë marrë 1 aktgjykim, aktgjykim dënues.
E në vitin 2020 nuk ka raste.
Ndërsa në Prokurorinë e Shtetit- prokuroritë përkatëse në anën tjetër nuk ka asnjë rast që është iniciuar sipas detyrës zyrtare për kategorinë e gazetarëve dhe komunitetit LGBTI.
Të dhënat e mësipërme për veprat penale ndaj gazetarëve dhe ndaj komunitetit LGBTI, i referohen vetëm veprimeve e vendimeve të marra nga shkalla e parë, ndërsa kanë mbetur jashtë trajtimit shkallët e tjera të gjykatave.
Të dhënat lidhur me vendimet gjyqësore për këto vepra penale janë nxjerrë nga të dhënat që evidentohen nga KPK, pasi KGJK nuk i ka kategorizuar veprat penale ndaj gazetarëve dhe komunitetit LGBTI.
Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin.
Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).
Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.