KMDLNj kërkon që të hapen edhe pika tjera për vaksinim në Prishtinë

 

Këshilli për mbrojtjen, të drejtat dhe liritë e njeriut ka kërkuar që të hapen edhe pika tera për vaksinimin e qytetarëve në Prishtinë.

Në reagimin e KMDLNj-së thuhet se mënyra e deritashme e organizimit të vaksinimit nuk është treguar efikase sepse po shkakton radhë të gjata

“Ministria e Shëndetësisë duhet të tregohet shumë më e përgjegjshme që të rrisë efikasitetin e vaksinimit në të kundërtën do të ketë përgjegjësi për shkelje të drejtave të njeriut. Mbrojtja shëndetësore është njëra ndër të drejtat elementare të njeriut dhe Ministria e Shëndetësisë ka përgjegjësi institucionale t’i mbrojë këto të drejta”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Reagimi i plotë:

Më 14 maj 2021 në sallën ” 1Tetori ” në Prishtinë ka vazhduar vaksinimi i qytetarëve të moshave mbi 65 vjeçare. Radhët për pritje janë të gjata dhe është shkaktuar një tollovi e madhe prandaj Policia e Kosovës është duke mbajtur rendin. KMDLNj thërret Ministrinë e Shëndetësisë të ndërmerr veprime të shpejta duke hapur edhe pika të tjera të vaksinimit të qytetarëve në mënyrë që të shkarkohet salla ” 1 Tetori ” dhe që qytetarët të mos detyrohen të presin orë të tëra për vaksinim aq më parë që kemi të bëjmë me një grup të ndjeshëm dhe të cenueshëm në aspektin shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë duhet të rrisë me urgjencë pikat e vaksinimit aq më parë që në një të ardhme të afërt Kosova do të furnizohet me një numër të konsiderueshëm të vaksinave e që nënkupton se edhe numri i qytetarëve të moshave të ndryshëm do të rritet shumë.

Është e qartë se mënyra e deritashme e organizimit të vaksinimit nuk është treguar efikase sepse po shkakton radhë të gjata. Ministria e Shëndetësisë duhet të tregohet shumë më e përgjegjshme që të rrisë efikasitetin e vaksinimit në të kundërtën do të ketë përgjegjësi për shkelje të drejtave të njeriut. Mbrojtja shëndetësore është njëra ndër të drejtat elementare të njeriut dhe Ministria e Shëndetësisë ka përgjegjësi institucionale t’i mbrojë këto të drejta. Ministria e Shëndetësisë duhet t’i marrë praktikat e mira të vendeve të rajonit sikur që është Shqipëria dhe të koordinohet, qoftë në planin logjistikë, qoftë duke kërkuar këshilla dhe kuadro profesionale.

 

14.05.2021 Prishtinë                                                                                         Shërbimi për Informim