Foto: Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, Facebook
Një deri në tre operime në javë për një mjek e bashkëpunimi i dobët mes klinikave, çka raportuan në bord drejtorët e katër kirurgjive?
Numri i vogël i operimeve për doktor, bashkëpunimi i dobët mes klinikave dhe mungesa e anesteziologëve ishin problemet e përbashkëta të katër klinikave kirurgjike të diskutuara në mbledhjen e sotme të bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Drejtori i Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci; drejtori i Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari; drejtori i Neurokirurgjisë, Besnik Elshani dhe drejtoresha e Kirurgjisë Plastike, Violeta Zatriqi raportuan veç e veç para bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës për punën e tyre dhe sfidat.
Të katër drejtorët u shprehën të kënaqur me aparaturat, duke thënë se asnjëherë nuk kanë pasur më shumë aparatura moderne.
“Lum na çfarë pajisje na janë ofruar prej Ministrisë së Shëndetësisë” – tha Elshani.
Megjithatë, kryesuesi i bordit të SHSKUK-së i cili njëherësh është edhe sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, tha se numri i operacioneve të kryera është i vogël.
Sipas llogaritjes së të dhënave të raportuara nga ta për vitin 2023, mesatarja e numrit të operimeve të kryera nga një specialist në javë ka qenë 1.3 në Torakale, 2.1 në Vaskulare, 1.9 në Neurokirurgji dhe 3.4 në Plastike.
Bardiqi tha se këto shifra do të duhej të ishin ditore e jo javore, prandaj kërkoi kryerjen e më shumë operacioneve në të ardhmen. Numri i vogël i operimeve të kryera sipas Bardiqit, ndikon keq edhe në shkathtësitë e kirurgëve.
Krerët e klinikave arsyetuan këto shifra me numrin e vogël të anesteziologëve dhe sallave operative, që thanë se u pamundësojnë kirurgëve kryerjen e më shumë operimeve.
Aktualisht, sallat e Neurokirurgjisë, Kirurgjive Torakale dhe Vaskulare janë duke u rinovuar. Ky renovim, sipas drejtorëve do t’u ndihmojë në të ardhmen, por u ka krijuar sfidë aktualisht, duke qenë se janë detyruar që të operojnë në salla të klinikave të tjera apo me kapacitete më të vogla.
Ankesë e përbashkët e drejtorëve ishte mungesa e bashkëpunimit mes klinikave, duke përmendur mosreferimin e rasteve nga njëra klinikë në tjetrën. Bordi dhe drejtori u dakorduan qe këtë problem ta adresojnë sa më parë përmes konsiliumeve profesionale.
Lista e pritjes në Kirurgjinë Vaskulare për operimin e venave varikoze është 2.8 vjet e gjatë, me 2026 pacientë që presin për të marrë këtë shërbim. Bordi kërkoi shkurtimin e kësaj liste.
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari, tha se është rritur numri i operimeve që ka ndikuar në uljen e listës, për të cilën tha se ka qenë 5 vjet.
Megjithatë, Rudari tha se ka ngritje enorme të pacientëve me këtë patologji, si në Kosovë ashtu edhe në botë.
I pyetur për shkallën e infeksioneve brenda-spitalore, nga anëtarja e bordit, Rrezarta Bajrami – Halili, Rudari nuk dha një shifër, por tha se kanë infeksione.
“Në kuadër të klinikës e kemi komisionin pritet shpejt me dalë (me raport). Por, po kemi” – tha ai.
Me ardhjen e pajisjeve të reja dhe renovimin e sallave operative, drejtorët e Neurokirurgjisë dhe të Kirurgjisë Vaskulare premtuan fillimin e ofrimit të shërbimeve të reja të cilat deri më tani janë referuar jashtë vendit, si operimet endovaslkulare dhe operimin e aneurizmave.
Ndërkaq, drejtoresha e Kirurgjisë Plastike, Violeta Zatriqi, kërkoi punësimin e një psikologu klinik.
“Psikologu klinik më nevojitet me bisedu me të gjithë pacientët e djegur, pacientët me karcinomë dhe të tjerë të cilët vuajnë edhe në aspektin psiqik për shkak të lëndimeve të , humbjes së ekstremitetit, humbjes së gishtërinjve dhe patologjive të cilat janë jashtëzakonisht të rënda” – tha Zatriqi.
Në këtë mbledhje u diskutua edhe mundësia e ndërtimit të një qendre për djegie, e cila sipas Zatriqit është shumë e nevojshme.
Bordi dhe drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, u morën vesh që një grup punues të bëjë vlerësimin e nevojave për këtë projekt.
Pas këtyre raportimeve, bordi bashkë me drejtorin Aziyi vizituan këto klinika.
Bordi i ShSKUK-së përbëhet nga kryesuesi Naim Bardiqi – përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe anëtarët: Dren Boshnjaku – përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni – përfaqësuese nga Qendra Klinike Stomatologjike, Rrezarta Bajrami – përfaqësuese nga IKSHPK, Besim Demolli – përfaqësues nga spitalet rajonale, Vjollca Kadolli – përfaqësuese nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe Enver Gashi – drejtor financiar.
Në këtë mbledhje munguan Vjollca Kadolli, Besim Demolli dhe Enver Gashi.