Foto operacioni ortopedi

Drejtori i Ortopedisë: Anesteziologët i 'kryejnë' 9-10 operacione në ditë në sektorin privat, e 1 ose 2 në atë publik

Drejtori i Ortopedisë me Traumatologji, Gani Jashanica, ka raportuar të shtunën, më 10.2.2024, për punën e Klinikës gjatë vitit 2023 para bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Gjatë këtij raportimi, ai foli për listat e pritjes dhe për anesteziologët, të cilët, sipas tij, neglizhojnë punën duke vendosur standard të dyfishtë mes sektorit publik dhe atij privat.

“Na nganjëherë punojmë në privat, edhe e dimë se atje anesteziologët i ‘kryejnë’ nga 9-10 operacione brenda ditës, e këtu 1-2” – u shpreh ai.

Me këtë deklaratë u pajtua edhe drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi.

Në mungesë të anesteziologëve, Jashanica tha se nga katër salla operative sa kanë, maksimumi shfrytëzohen tri prej tyre, duke operuar nga 5 pacientë në ditë, për të cilën tha se është shifër brengosëse.

Drejtori Azizi tha se kanë proceduar hapjen e konkursit për dy anesteziologë dhe se po punojnë ngushtë me Klinikën e Anesteziologjisë.

Ankesa për mungesë të anesteziologëve kanë pasur edhe 4 klinika të tjera gjatë raportimit në bord.

Në Klinikën e Ortopedisë ka pacientë që presin që nga viti 2019 për vendosjen e protezave. Kjo e bën këtë një ndër klinikat me listën më të gjatë të pritjes, me 1,135 pacientë në pritje.

Jashanica tha të shtunën para bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës se këto lista janë për shkak të mungesës së protezave që vijnë si pasojë e çmimit të shtrenjtë të tyre.

Anëtarja e bordit, Vjollca Kadolli, tha se pavarësisht çmimit, institucionet duhet të angazhohen për blerjen e tyre, sepse ato nuk janë estetike por shëruese, që ndikojnë direkt në shëndetin dhe lëvizjen e pacientëve.

Gjatë vitit 2023, sipas raportimit të drejtorit të Ortopedisë, në këtë Klinikë janë vendosur 56 proteza totale të gjurit, 31 proteza totale të kërdhokullës, 51 artroskopi dhe 40 rekonstruksione të ACL. Dy të fundit janë lloje të operimeve të gjurit.

Ai tregoi se janë në pritje që brenda një muaji të furnizohen me instrumentarium të ri, pasi që ai aktuali, siç tha ai, është para falimentimit.

Sipas Elvir Azizit gjendja në Ortopedi, sidomos në bllokun operativ, ka qenë skandaloze. Ai tregoi se Ortopedia është e ndarë në 3 objekte e së shpejti do t’i shtohet edhe një.

“Besoj që deri në fund të muajit lëshohet aneksi i ri i Klinikës” – tha ai.

Anëtari i bordit, Dren Boshnjaku, u shpreh i pakënaqur me shfrytëzueshmërinë e shtretërve, e cila është 46% dhe numrin e operacioneve që ishte 1 mijë e 950. Ai tha se sipas ekspertëve të huaj, të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë, shfrytëzueshmëria e shtretërve duhet të jetë 85%, ndërkaq numri i operimeve në Ortopedi 2 mijë e 489.

Sipas raportimit të drejtorit të Ortopedisë, numri i referimeve jashtë vendit ka rënë në 85 gjatë vitit 2023, nga 261 sa ka qenë në vitin 2021.

Bordi i SHSKUK-së përbëhet nga kryesuesi Naim Bardiqi – përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe anëtarët: Dren Boshnjaku – përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni – përfaqësuese nga Qendra Klinike Stomatologjike, Rrezarta Bajrami – përfaqësuese nga IKSHPK, Besim Demolli – përfaqësues nga spitalet rajonale, Vjollca Kadolli – përfaqësuese nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe Enver Gashi – drejtor financiar.

Në këtë mbledhje ishin prezentë edhe drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari. Ndërsa, munguan Naim Bardiqi dhe Besim Demolli.