Foto: Screenshot

Kina ende nuk pranon të vendos sanksione ndaj Rusisë

Aleati i Rusisë tash e një kohë të gjatë, Kina, ende po refuzon të dënojë Rusinë, duke mos e quajtur as veprimin e Rusisë kundër Ukrainës një “pushtim”.

Në një konferencë në Pekin, zëdhënësi Wang Wenbin përsëriti qëndrimin e Kinës se respekton integritetin territorial të të gjitha vendeve, por sipas tij, Kina kupton gjithashtu “shqetësimet legjitime të Rusisë për çështjet e sigurisë”, raporton BBC.

Ai shtoi se Kina ende e njeh Ukrainën si një shtet legjitim dhe beson se dera për një zgjidhje politike ende nuk është mbyllur në Ukrainë, por nuk dha sugjerime se si mund të zhvillohet dialogu.

Ai gjithashtu nuk tha nëse Pekini do të njohë apo jo republikat e vetëshpallura separatiste Donetsk dhe Luhansk në lindje të Ukrainës.

BBC kërkoi një përgjigje ndaj komentit të presidentit amerikan Joe Biden se “çdo komb që përballon agresionin e Rusisë në Ukrainë do të njolloset nga shoqërimi”.

Wang u përgjigj se “vendi, reputacioni i të cilit do të njolloset është ai që ndërhyri në punët e brendshme të kombeve të tjera në emër të të drejtave të njeriut dhe që vazhdoi të zhvillonte luftëra”.

Sa i përket sanksioneve, ai tha se që nga viti 2011, ShBA-të kanë vendosur më shumë se 100 sanksione ndaj Rusisë, por ato nuk kanë funksionuar dhe se sanksionet do të shkaktojnë vetëm vuajtje.

Sot, është dita e dytë e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, siç tha, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.

Britania ka deklaruar se është e gatshme t’i ofrojë Ukrainës mbështetje shtesë ushtarake, përfshirë armë mbrojtëse vdekjeprurëse si dhe garanci për kredi, me qëllim që ta ndihmojë Kievin “që ta përballojë agresionin rus”.

Kurse, sot është raportuar se kryeqyteti Ukrainas ka përjetuar një natë të gjatë me bombardime nga distanca nga forcat ruse.

Kosova i’u bashkua sot ShBA-së dhe Evropës për sanksione ndaj Rusisë.