Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kica-Xhelili: Qeveria të tregojë se përse Kosova nuk është pjesë e Programit të Evropës Digjitale në vlerë 7.5 miliardë euro

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, ka kërkuar nga Qeveria që të shpjegojë se përse Kosova nuk është pjesë e Programit të Evropës Digjitale në vlerë prej 7.5 miliardë euro.

Sipas Kica- Xhelilit, pjesë e këtij programi janë Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

“Le t’i tregojë Qeveria sot gjithë sektorit digjital të Kosovës, pse Kosova nuk është pjesë e Programit të Evropës Digjitale në vlerë prej 7.5 miliardë euro, ndërkaq Shqipëria, Serbia, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut po”- ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas deputetes, rinia e Kosovës e ka merituar më shumë se çdo rajon të jetë pjesë e këtij programit, teksa ka pyetur Qeverinë se nëse kjo është “masë e jo sanksion”.

“Kosova s’ka shumë që u përzgjodh si TechHub i Ballkanit për shkak të kapaciteteve të jashtëzakonshme të rinisë tonë. E para në rajon dhe e 11-ta në Evropë. E merituam më shumë se kushdo në rajon. Sa teori, praktika e politika shtesë izolacioniste na duhen për të kuptuar sa mbrapshtë e konceptojnë këta “zhvillimin” e vendit? Apo edhe kjo është veç “masë” e jo sanksion? Mëkat, turp, dështim e çka jo!”- thuhet në reagimin e Kica-Xhelilit.

Më 26 qershor, pas takimit me ministrat e jashtë të shteteve anëtare të BE-së, përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se shtetet anëtare të BE-së do të marrin masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk shtensiohet situata.

“Shtetet anëtare janë të gatshme të marrin masa të mëtutjeshme nëse nuk shihet progres. Ata kanë thënë se nga shtetet që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së presim sjellje evropiane. Në ditët në vijim do të vazhdojmë kontaktin me dyja palët. Por, shtetet anëtare janë të gatshme të jenë aktive e të na përkrahin në punën tonë”- ka deklaruar Borrell.

“Masat do të shohim, ato janë politike dhe financiare. Shtetet anëtare mund të konsiderojnë masat politikë për të limituar kontaktet politike, e po ashtu masat financiare, varësisht nga sjellja e tyre”- shtoi ai.

BE-ja vendos ‘masa kufizuese’ ndaj Kosovës