Kica-Xhelili kërkon llogari nga deputetët që po bojkotojnë komisionin hetimor për rezervat shtetërore

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, i ka pyetur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje përse po e bojkotojnë për shtatë herë me radhë konstituimin e komisionit hetimor parlamentar për dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Kica-Xhelili gjatë fjalës së saj në Kuvend ka deklaruar se pesë deputetë të LVV-së dhe një i grupit multietnik nuk kanë shkuar në komision pa asnjë arsyetim.

“Pse e keni bojkotuar për shtatë herë me radhë komisionin hetimor për rezervat shtetërore? Në qoftë se nuk jemi të qartë meqë nuk u përgjigjet as më herët, pse po e bojkotoni për shtatë herë me radhë komisionin për rezervat shtetërore? Pesë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe një deputet nga grupi multietnik, pra gjashtë anëtarë që bojkotojnë numrat e mjaftueshëm për kuorum, nuk vijnë qe shtatë herë pa asnjë arsyetim”- tha Kica-Xhelili.

“Një nga pretekstet e juaja është se i besoni Prokurorisë, kësaj prokurorie që po e shani në vazhdimësi po i besoni më shumë se legjislativit si institucion i cili e ka tagrin me themelu komision hetimor parlamentar paralelisht me çfarëdo hetimi që mund të bëhet nga prokuroria”- shtoi ajo.

Në mungesë të deputetëve të pozitës ka dështuar sot për herë të shtatë tentativa për konstituimin e komisionit hetimor në lidhje me rezervat shtetërore.

Në shtator të këtij viti, Kuvendi i Kosovës kishte votuar pro themelimit të këtij komisioni, por konstituimi po dështon për të shtatën herë me radhë, për shkak të mungesës së deputetëve të pozitës.

Dështon tentativa e shtatë për konstituimin e Komisionit hetimor për rezervat shtetërore

Pushteti kritikohet për bllokimin e konstituimit të komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore