KGJK dhe KPK i reagojnë kryeministrit Kurti për deklaratat e tij rreth rastit të dhunimit të 11 vjeçares

 

Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës kanë dalë me një reagim të përbashkët ndaj deklaratave të kryeministrit të vendit Albin kurti lidhur me rastin e dhunimit seksual të 11 vjeçares.

KGJK dhe KPK theksojnë se lidhur me rastin do të sillen si institucione të pavarura profesionale dhe të përgjegjshme.

Këto dy institucione i bëjnë thirrje Qeverisë që të përmbush përgjegjësitë kushtetuese e ligjore për të krijuar kushte të nevojshme për strehimin dhe rehabilitimin e viktimave të krimit.

 

Reagimi i plotë i KGJK-së dhe KPK-së

REAGIM

​Prishtinë, 2 shtator 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) reagojnë ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës lidhur me deklaratën e tij në raport me KGJK-në dhe KPK-në për rastin e dhunimit të 11 vjeçares.

Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial theksojnë se në raport me këtë çështje sillemi si institucione të përgjegjshme, të pavarura dhe profesionale dhe jo si disa institucione që përmes reagimeve me deklarata publike nuk përngjajnë në institucione shtetërore.

Lidhur me këtë rast, ne si institucione kompetente në koordinim të plotë me institucionet tjera relevante, kemi ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për trajtimin e rastit me profesionalizëm.

Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i bëjnë thirrje Qeverisë që të përmbush përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për krijimin e kushteve të nevojshme për strehimin dhe rehabilitimin e viktimave të krimit, në mënyrë që viktimat e krimit të mos të mbesin në mëshirën e organizatave jo qeveritare për strehim dhe rehabilitim.

Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial sigurojnë opinionin se janë të vendosur për përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë rast dhe të gjitha rastet e tjera pa përjashtim.

Gjatë ditës kryeministri i vendit Albin Kurti kritikoi organet e drejtësisë për mos reagimin ndaj rastit ndaj përgjegjësve në lidhje me rastin e 11 vjeçares e cila para pak ditëve u raportua se u dhunua.

Për mes profilit të tij  në Facebook, Albin Kurti deklaroi se dy dorëheqjet e deritanishme nuk mjaftojnë.  Ai madje i ka quajtur të pafuqishme aktakuzat e prokurorëve.

“Aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen. Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vitesh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç” – thotë Kurti në postim.

Kurti për rastin e 11-vjeçares: Nuk mjaftojnë dy dorëheqje, KGjK e KPK janë ende në heshtje