Foto: ZKM

Kurti për rastin e 11-vjeçares: Nuk mjaftojnë dy dorëheqje, KGjK e KPK janë ende në heshtje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) pasi sipas tij nuk kanë thënë asnjë fjalë lidhur me veprimet që do të ndërmarrin në lidhje me rastin ku dyshohet se u dhunua një 11-vjeçare në Prishtinë.

Kurti ka thënë se janë berë tri ditë nga protesta e qytetarëve të mërkurën, ku u kërkua shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj për rastet e dhunës seksuale, dhe shkarkim të prokurorëve për neglizhencë ndaj këtyre rasteve.

“Aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen. Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vitesh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç”, ka shkruar ai.

Sipas tij, dy dorëheqje lidhur me rastin deri tani, ajo e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe e drejtorit të Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, nuk mjaftojnë.

Kurti ka shtuar se aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen.

“Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vitesh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti po ashtu ka njoftuar se pas protestës Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka takuar kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetarin e Gjykatës Supreme dhe  u.d. Kryeprokurorin e Shtetit ku edhe është theksuar si e domosdoshme llogaridhënia në sistemin prokurorial e gjyqësor.

Më 27 gusht 2022, një vajzë 11-vjeçare dyshohet se është dhunuar seksulaisht nga pesë persona, në kryeqytet.

Në një park të kryeqytetit një vajzë e re 11-vjeçare përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht nga disa persona. Kështu përshkruhet në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Dosja e pretendimeve për dhunim të 11-vjeçares nga Prishtina është rënduar edhe më tutje.

KALLXO.com ka raportuar, se vajza e cila pretendohet se është dhunuar nga pesë persona ishte në duart e institucioneve të shtetit disa muaj më parë në një rast të ngjashëm ku ajo pretendohet se ishte viktimë e trafikimit.

Zyrtarisht, Prokuroria e Shtetit e Policia e Kosovës nuk kanë sqaruar nëse bëhet fjalë për dosje të abuzimit seksual apo për trafikim me qëllime të tjera mirëpo burime zyrtare kanë konfirmuar se vajza ishte trajtuar nga mbrojtësi i viktimave dhe kishte edhe mbikëqyrës nga Qendra për Punë Sociale në  Prishtinë.

Dosja e dhunimit të 11-vjeçares: Konfirmohet se vajza ishte edhe më herët viktimë