Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

4 të dënuarit për dhunimin e 11-vjeçares janë ankuar në Gjykatë të Apelit për dënimin

Ekrem Rexhepi dhe tre të miturit G.R., Gj.J dhe Xh.S. që përbëjnë grupin e parë të të akuzuarve në rastin e dhunimit të 11-vjeçares, priten që së shpejti të dalin para gjykatës së Apelit.

Të njëjtit akuzohen se në verën e vitit të kaluar kanë qenë të përfshirë në dhunimin e të vajzës 11-vjeçare.

Gjykata e shkallës së parë në shkurt të këtij viti kishte marrë vendim duke i shpallur fajtorë të akuzuarit dhe duke i shqiptuar dënim me gjithsej 40 vite burgim.

Ekrem Rexhepi është dënuar me 15 vjet burg, tre të miturit, G.R me 9 vjet burg kurse G.J dhe Xh.S me nga 8 vjet burg secili.

Në këtë rast i akuzuar ishte edhe Shkëlqim Kameri, mirëpo i njëjti është liruar nga akuza në mungesë të provave.

Por me vendimin e shkallës së parë nuk janë pajtuar mbrojtësit e të akuzuarve, duke atakuar këtë të fundit.

Për KALLXO.com, avokati i Ekrem Rexhepit, Fitim Limani tha që ankesën kundër vendimit të shkallës së parë e kanë bazuar në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimin mbi sanksionin penal.

“Ankesat i kemi dërguar për shkelje esenciale të kodit të procedurës penale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimin mbi sanksionin penal…” – tha Limani për KALLXO.com.

I njëjti shtoi tutje se të gjitha palët në procedurë kanë bërë ankesa kundër vendimit të shkallës së parë.

“Krejt kanë bërë ankesë. Edhe prokuroria ka bo ankesë” – tha Limani.

Në dhjetor të vitit 2022, Prokuroria e Prishtinës ngriti aktakuzë ndaj Ekrem Rexhepit, Shkëlqim Kamerit dhe tre personave të mitur për rastin e dhunimit në gusht të një 11-vjeçareje.

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 27 gusht 2022, në intervalin kohor prej orës 18:00 deri 20:00, në parkun e lagjes “Arbëria” të miturit G.J dhe Xh.S, e kanë takuar rastësisht të miturën dhe kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë e pastaj e kanë dhunuar seksualisht.

Sipas dosjes së organit ndjekës, kur e mitura ka bërtitur të pandehurit ia kanë mbyllur gojën e kur ajo është larguar në drejtim të shtëpisë së saj, të pandehurit e kanë tërhequr dhe kapur për dore pa dëshirën e saj duke e dërguar të miturën në një livadh të njohur me emrin ”Cigllana”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, vajzën 11-vjeçare e kanë shtrirë në tokë, ku i mituri me iniciale G.J e ka mbajtur në pjesën e sipërme të trupit gjersa Xh.S ka vazhduar ta dhunojë, e kur është larguar ai ka filluar i mituri G.R që të dhunojë të miturën, e gjatë kësaj kohe G.J ka qenë duke i’a mbajtur këmbët të miturës.

Prokuroria pretendon se këtë ngjarje të miturit G.R dhe Xh.S e kanë incizuar dhe i’a kanë dërguar një personi duke i akuzuar ata me veprën e keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi.

Nga këtu, sipas prokurorisë ngjarja ka vazhduar me njërin nga të miturit duke telefonuar të akuzuarin Ekrem Rexhepi, i cili kishte shkuar në vend ngjarje me veturën e tipit “Pickup” ku i ka marrë në veturë 3 të miturit bashkë me 11-vjeçaren, duke vazhduar rrugën drejt varrezave ku 2 të miturit kanë zbritur, e pas pak minutash më larg i akuzuari Ekrem Rexhepi edhe vetë e kishte dhunuar të miturën.

Ndërsa, këtë ngjarje prokuroria pretendon se e ka incizuar i mituri G.J i cili pastaj i’a ka dërguar një personi videon në rrjetet e tij sociale TikTok dhe Snapchat. Me këtë prokuroria e ngarkon me veprën keqpërdorim i fëmijëve në pornografi.

11-vjeçarja dyshohet se është dhunuar në qershor dhe në gusht, për këto dy raste janë arrestuar tashmë 11 persona, derisa shumica prej tyre janë në paraburgim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast dhe artikujt i gjeni në këtë LINK.