KFOR shënon 25 vjetorin e angazhimit në Kosovë

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka shënuar 25 vjetorin e angazhimit dhe përkushtimit për siguri të qëndrueshme në mbarë vendin dhe stabilitetit rajonal.

Ky përvjetor u shënua në një ceremoni në Kampin “Film City”. Pjesëmarrës ishin komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas e presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Pjesëmarrës po ashtu ishin shefat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Përfaqësues Special të Bashkimit Evropian si dhe nga ambasadorë të shumtë të vendeve kontribuuese të trupave të KFOR-it e udhëheqës fetarë.

“Është privilegj të qëndroj këtu me të gjithë ju, si Komandant i misionit më të gjatë në historinë e Aleancës sonë, dhe aktualisht më i madhi i saj – KFOR-i përfaqëson angazhimin e prekshëm, afatgjatë dhe të palëkundur të NATO-s për sigurinë në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të përditshëm të ushtarëve dhe personelit të tij civil”– u shpreh gjeneralmajor Ulutas.

Ai tutje tha se nderon shërbimin dhe sakrificën e atyre që humbën jetën duke i shërbyer këtij misioni.

“Pa angazhimin e qindra mijëra burrave dhe grave që shërbyen nën KFOR-in gjatë 25 viteve të fundit, NATO nuk mund të kishte luajtur një rol kaq të rëndësishëm në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”– shtoi ai.

“Roli i KFOR-it mbetet thelbësor. Jam i nderuar që vazhdoj ta ndaj këtë rrugëtim me ju dhe nuk do të kursej asnjë përpjekje, së bashku me mijëra gra dhe burra me uniformë, nga aleatët dhe partnerët e NATO-s, të cilët jam krenar që i komandoj”– theksoi komandanti i KFOR-it.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

25 vjet nga ajo ditë, misioni i NATO-s, KFOR-i, vazhdon të menaxhojë situatën e sigurisë, si në jug, ashtu edhe në veri të Kosovës.

Kosova, një çerek shekulli e lirë