Foto-ilustrim

Këto do të jenë pagat në sistemin gjyqësor e prokurorial pas ngritjes së koeficientit

Kryeministri Albin Kurti sot ka njoftuar se koeficienti i pagave në sektorin publik do të rritet nga 105 në 110 euro.

Me këtë ngritje, kryetari i Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurori i Shtetit do të paguhen nga 1 mijë e 870 euro, apo 85 euro më shumë sesa tani.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Kosovës do të paguhen 1 mijë e 815 euro, 83 euro më shumë.

Gjyqtari dhe prokurori i Krimeve të Rënda do të paguhen nga 64 euro më shumë sesa tani.

Gjyqtari i gjykatës themelore do të paguhet 1 mijë e 380 euro, apo 63 euro më shumë, ndërsa prokurori i prokurorisë themelore do të paguhet 1 mijë e 320 euro, 60 euro më shumë se aktualisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ku është shqyrtuar Projektligji mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2024, ka thënë se koeficienti i pagave do të jetë 110 euro.

Sipas Kurtit, buxheti për vitin 2024 do të jetë 3.3 miliardë euro.