Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kështu e komenton Alban Hyseni mbështetjen që po e merr nga Qemajl Mustafa i PDK-së

Kandidati për kryetar të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, ka thënë se është i hapur për koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës pas balotazhit të 14 nëntorit.

“Jo tani, por pas garës për kryetar të komunës”, tha Hyseni kur u pyet nëse është i hapur për koalicion me PDK-në.

Duke e komentuar deklaratën e ish-kryetarit të Gjilanit nga PDK se e përkrah kandidatin e LVV-së në Gjilan, Hyseni ka thënë se Mustafa e ka bërë këtë edhe më herët.

“Nuk është që kemi bërë marrëveshje me njëri-tjetrin, mirëpo ajo për çka ne e kërkojmë votën në Gjilan dhe ajo për çka ne po hasim në kaq shumë përkrahje është ndryshimi”, theksoi Hyseni.

“Një argument që është përdorur kundër, përkrahjen së PDK-së kundrejt meje, konkretisht z. Mustafa është se ai ka aktakuzë. Kanë thënë si ndihesh me përkrahjen e njeriut që ka aktakuzë? Tash nëse e shihni kundërkandidatin tim, ai i ka 5 drejtorë me aktakuza në qeverisje për momentin, pra ne nuk mund të diktojmë se kush dhe pse e përkrahë dikë tjetër publikisht”, ka shtuar ai.

Në emisionin e së dielës, ish-kryetari i Gjilanit, tash anëtar i PDK-së, Qemaj Mustafa, ka thënë se e përkrah kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të kësaj komune, Alban Hysenin, në balotazhin që mbahet më 14 nëntor.

Mustafa ka thënë se në Gjilan e mbështet ndryshimin, jo nga partia por nga individi.

“Unë jam në Gjilan me ndryshimin, unë e dua shumë në Gjilan ndryshimin. Ndryshimi nuk vjen me Lutën [Lutfi Hazirin]. Ndryshimi vjen me atë tjetrin, me Alban Hysenin. Nuk jam me Alban Hysenin e Vetëvendosjes, as që më intereson bile prej cilit formacion po vjen njëri ose tjetri. Mua në intereson profili i kandidatit. Ky djali po më pëlqen se është i ri, djalë i urtë, djalë me dije, inteligjent dhe shumë i qartë”, tha ai.

Në emisionin “DebatPernime” po diskutohet për balotazhin e 14 nëntorit për komunën e Gjilanit dhe Dragashit.

I ftuar në debat është Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje. Kundërkandidati i tij, Lufti Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është i pranishëm në debat me arsyetimin se “debatin po e mban me qytetarë”.

Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni do të përballet në balotazh me kundërkandidatin e tij, kryetarin aktual të Gjilanit, Lutfi Hazirin nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve në Gjilan, kandidati i LVV-së, Alban Hyseni ka siguruar 44,71 për qind te votave, kurse kandidati Lutfi Haziri nga LDK ka marrë 43,51 për qind.