Këshilli Prokurorial reagon ndaj deklaratës së Kurtit, e quan të pavërtetë dhe linçuese

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrave të kabinetit të tij në lidhje me punën e Prokurorisë dhe prokurorëve të saj.

Në reagimin e tyre, KPK i ka konsideruar deklaratat “me përmbajtje tejet tendencioze, të pavërteta e linçuese”.

“KPK-ja i bën thirrje kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar që të përmbahen nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe rrjedhimisht nënçmuese, ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, duke tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me sistemin prokurorial dhe punën e prokurorëve të shtetit” – thuhet në reagimin e KPK-së.

Më tej ata kanë thënë se deklaratat dhe akuzat e tilla, qasja e tillë e një pushteti tjetër, duke sulmuar dhe linçuar kryeprokurorët dhe prokurorët me emra dhe mbiemra, është shkelje e patolerueshme dhe tentativë e dështuar për të ndërhyrë në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit.

Ky reagim ka ardhur pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar aksionet në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe lokacione të tjera, gjatë të cilëve mbetën të arrestuar dy zyrtarë të kësaj ministrie dhe një biznesmen nën dyshimin për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Kurti ka thënë se qeverisja e tij prodhon si fituesit ashtu edhe humbësit e saj. Sipas tij, humbësit i gjen tek “elita e vjetër dhe korruptuar politike”, të gjykatësit, prokurorët dhe të mediat e keqpërdoruara.

Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Prokuroria Speciale nuk e ka mision luftimin e krimit dhe të korrupsionit, por “mbrojtjen e kastës së vjetër kriminale, me shpresën që një ditë ajo kastë do të kthehet”. Ai ka deklaruar po ashtu se sistemi i kapur i drejtësisë, sipas tij, po lufton me çdo mjet ministrat e Qeverisë Kurti.

Ndaj deklarimit të ministrit Murati ka reaguar edhe Shoqata e Prokurorëve të Kosovës.

“Në këtë mënyrë i njëjti [Murati] jo vetëm që shpif por njëkohësisht e vë në rrezik serioz hetimin në fazën në të cilën është, duke e marrë parasysh se epilogu i hetimeve merr kohë në grumbullimin, analizimin dhe vlerësimin e provave dhe fakteve, me qëllim të përfundimit me sukses të secilit rast” – thuhet në reagimin e tyre.

Gjykata e Prishtinës sot ka vendosur t’ua jap 30 ditë paraburgim tre të dyshuarve për keqpërdorim me rezarvat shtetërore.

Tre të dyshuarit, dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara bashkë me afaristin Ridvan Muharremi janë arrestuar dje nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Prishtinës, caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara është dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, paraburgimi për Ridvan Muharremin është dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në mëngjesin e 18 gushtit, me urdhër të Prokurorisë Speciale janë kryer arrestimet dhe bastisjet për disa orë në zyret e MINT dhe pronat e Ridvan Muharremit.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

Reagimi i plotë i Këshillit Prokurorial të Kosovës:

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) reagon ashpër ndaj deklaratave me përmbajtje tejet tendencioze, të pavërteta e linçuese ndaj Institucionit të Prokurorisë dhe prokurorëve të saj, të bëra dje dhe sot nga ana e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ministrave të kabinetit qeveritar, mbi bazën e paragjykimeve dhe hamendësive, duke tentuar të godasë sistemin prokurorial në çdo mënyrë dhe në çdo rast.

KPK-ja i bënë thirrje Kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar që të përmbahen nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe rrjedhimisht nënçmuese, ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, duke tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me sistemin prokurorial dhe punën e prokurorëve të shtetit.

KPK-ja, thekson në mënyrë të qartë dhe të palëkundur se deklaratat dhe akuzat e tilla të pabaza dhe qasja e tillë e një pushteti tjetër, duke sulmuar dhe linçuar kryeprokurorët dhe prokurorët me emra dhe mbiemra, është shkelje e patolerueshme dhe tentativë e dështuar për të ndërhyrë në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit.

Gjithashtu, KPK-ja, deklaron se do të mbështesë fuqishëm dhe do të mbrojë me të gjitha mjetet juridike-ligjore, që ka në dispozicion, punën profesionale të të gjithë prokurorëve të Republikës së Kosovës dhe, më këtë rast, u bën thirrje publike të gjithë faktorëve, në veçanti, Qeverisë së Kosovës që të qëndrojë larg deklaratave të tilla, tentativave për ndërhyrje dhe presione të drejtpërdrejta dhe të kota, që bien në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Prandaj, KPK-ja dënon keqpërdorimin e fjalës së lirë nga ana e Kryeministrit dhe ministrave të tij, duke theksuar se këto deklarata janë krejt të kota ndaj Prokurorit të Shtetit, i cili nuk ndikohet nga qarqet politike dhe grupet e interesit, por si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet do t’i shkojë deri në fund çdo rasti me dyshim për keqpërdorim të parasë publike dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë.

Këshilli Prokurorial është i përkushtuar me të gjithë mekanizmat e tij që të punojë, mbrojë dhe avancojë çdo vlerë të integritetit, dinjitetit dhe transparencës publike, si dhe të luftojë çdo tendencë për presion dhe ndërhyrje nga ana e kujtdoqoftë.

KPK-ja bën thirrje që Prokurori i Shtetit, puna dhe misioni i tij, të jenë jashtë çdo agjende të politikës ditore, sepse vlerësimi i punës së prokurorëve nuk varet nga vullneti i individëve, subjekteve dhe grupeve të caktuara dhe as këto deklarata dhe veprime jokorrekte, joetike dhe të padinjitetshme nuk do të arrijnë të zbehin punën e prokurorëve.

KPK-ja potencon se Prokurori i Shtetit, si pjesë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë në vendin tonë, do të punojë intensivisht për ndriçimin deri në fund të të gjitha rasteve në punë, ndaj të gjithë atyre zyrtarëve të dyshuar dhe të veshur me pushtet, pavarësisht tentativave për ndërhyrje, duke vënë në pah përfundimisht dhe me konsekuencë se pavarësia e sistemit prokurorial është thelbësore dhe e rëndësishme në rrugën që kemi përpara.​