Këshilli Gjyqësor mbajti takimin e 318-të, miratoi një numër aktesh

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka mbajtur takimin e radhës, të 318-tin, gjatë të cilit ka miratuar një numër aktesh.

Në këtë mbledhje ndër të tjera iu urua mirëseardhje anëtarit më të ri të KGJK-së, Artan Abazi, i cili ishte zgjedhur anëtar nga Kuvendi i Kosovës.

KGJK sot miratoi këto akte: Planin strategjik të teknologjisë informative të KGJK-së 2024 – 2029; Rregulloren për përdorimin e sistemit për menaxhimin informativ të lëndëve (SMIL); Rregulloren për punën e panelit për lirim me kusht; Rregulloren për sistemin për menaxhimin e dosjes elektronike të gjyqtarëve; Rregulloren për përdorimin e sistemit për menaxhimin e dosjes elektronike të administratës gjyqësore; Rregulloren për statusin, kushtet dhe procedurën e emërimit të panelit zgjedhor për ankesa dhe parashtresa; Rregulloren për trajnimin e gjyqtarëve; Rregulloren për trajnimin e të punësuarve në administratën e sistemit gjyqësor; Udhëzimin administrativ për procedurat e përdorimit dhe menaxhimit të parave të imëta për gjykata dhe njësitë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Udhëzimin administrativ për pranimin dhe menaxhimin e të hyrave dhe depozitave gjyqësore.

Agjenda prej 32 pikave nuk arriti të realizohej sot në tërësi. Andaj, u bë e ditur që takimi i 318-të do të vazhdojë më 27 dhjetor.