Kërkohet paraburgim për të pandehurin që dyshohet se transportoi 91 kilogram marihuanë

Prokuroria e Prizrenit, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.M., pasi i njëjti po dyshohet se ka transportuar 91 kilogram drogë e llojit marihuanë.

Prokuroria ka njoftuar se rasti ka ndodhur me datë 9 shkurt 2022, në fshatin Konushefc, Komuna e Podujevës, ku dy të pandehurit M.Q., dhe F.M., së bashku me dy persona të tjerë të panjohur kanë shpërndarë dhe transportuar substanca narkotike me qëllim të shitjes, shpërndarjes dhe ofrimit për shitje.

Siç thuhet në njoftim, fillimisht i pandehuri M.Q., pas komunikimit me F.M.,  sasinë e marihuanës prej 91 kilogram e 548 gram shkon për ta vendosur në autobusin e linjës së rregullt Kosovë-Austri, pronë e të pandehurit F.M., mirëpo, çantat me sasi të marihuanës i vendos në automjetin e të dyshuarit F.M., dhe niset në drejtim të Podujevës.

Kurse, pasi të pandehurit vërejnë policinë përdorin armë zjarri duke shtënë në drejtim të tyre.

“I pandehuri F.M., me automjetin e tij të tipit Golf IV me targa të Austrisë, ia siguron rrugën, i pandehuri M.Q., në momentin kur i vëren zyrtarët policor fillimisht përdor forcë duke e goditur me automjetin e tij veturën zyrtare të policisë, me rastin e kthimit mbrapa me automjet e godet zyrtarin policor dhe përdor armë zjarri duke shtënë në drejtim të zyrtarëve policor”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.

Lidhur me këtë rast, prokuroria ka bërë të ditur se ka marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve për të dyshuarin M.Q., në drejtim të veprave penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm,  sulm ndaj personit zyrtar dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Gjatë ditës së djeshme, KALLXO.com ka raportuar se 91 kilogram drogë e llojit marihuanë është konfiskuar në një aksion policor i cili është zhvilluar mbrëmjen e kaluar në afërsi të një fshati në Komunën e Podujevës.

Drejtori i Departamentit të Anti-Drogës, Reshat Murseli në një konferencë për media përmendi edhe detaje nga ky aksion i koduar si “Kamera”.

Sipas drejtorit, hetuesit policorë kanë monitoruar të gjitha lëvizjet e të dyshuarve dhe kanë bërë ndaljen e tyre.

Të dyshuarit sipas Murselit dyshohet se kanë qenë edhe të pajisur me armë.

“Të njëjtit nuk kanë përfillur urdhrin për ndalje, por përkundrazi, kanë rritur intensitetin e lëvizjes me veturë duke kanosur dhe rrezikuar jetën e zyrtarëve policorë”, ka thënë Murseli.

Ai shtoi se një hetues ka marrë lëndime të lehta trupore.

Hetuesit kanë përdorur edhe armët zyrtare duke shkrepur dy herë. Për këtë, sipas drejtorit janë njoftuar prokuroria dhe Inspektorati i Policisë së Kosovës.

Një i dyshuar me veturë me targa të Gjermanisë është ndaluar rreth 300 metra larg pikës së ndalimit ku ishin vendosur hetuesit policor. I njëjti më pas është larguar në këmbë në drejtim të panjohur.

Hetuesit policor kanë bërë edhe bastisjen e veturës.

“Në kontroll të veturës janë gjetur dhe konfiskuar 34 paketime me substancë narkotike marihuanë me peshë mbi 91 kilogram”, shtoi tutje Murseli.

Drejtori i Antidrogës përmendi edhe se janë bastisur edhe disa objekte në disa lokacione pronë e të dyshuarve.

Konfiskohen 91 kg marihuanë, Policia në kërkim të tre personave