Konfiskohen 91 kg marihuanë, Policia në kërkim të tre personave

91 kilogram drogë e llojit marihuanë është konfiskuar në një aksion policor i cili është zhvilluar mbrëmjen e kaluar në afërsi të një fshati në Komunën e Podujevës.

Drejtori i Departamentit të Anti-Drogës, Reshat Murseli në një konferencë për media përmendi edhe detaje nga ky aksion i koduar si “Kamera”.

Sipas drejtorit, hetuesit policorë kanë monitoruar të gjitha lëvizjet e të dyshuarve dhe kanë bërë ndaljen e tyre.

Të dyshuarit sipas Murselit dyshohet se kanë qenë edhe të pajisur me armë.

“Të njëjtit nuk kanë përfillur urdhrin për ndalje, por përkundrazi, kanë rritur intensitetin e lëvizjes me veturë duke kanosur dhe rrezikuar jetën e zyrtarëve policorë”, ka thënë Murseli.

Ai shtoi se një hetues ka marrë lëndime të lehta trupore.

Hetuesit kanë përdorur edhe armët zyrtare duke shkrepur dy herë. Për këtë, sipas drejtorit janë njoftuar prokuroria dhe Inspektorati i Policisë së Kosovës.

Një i dyshuar me veturë me targa të Gjermanisë është ndaluar rreth 300 metra larg pikës së ndalimit ku ishin vendosur hetuesit policor. I njëjti më pas është larguar në këmbë në drejtim të panjohur.

Hetuesit policor kanë bërë edhe bastisjen e veturës.

“Në kontroll të veturës janë gjetur dhe konfiskuar 34 paketime me substancë narkotike marihuanë me peshë mbi 91 kilogram”, shtoi tutje Murseli.

Drejtori i Antidrogës përmendi edhe se janë bastisur edhe disa objekte në disa lokacione pronë e të dyshuarve.