Komisioni për siguri, Foto: KALLXO.com

Kërkohet hetim parlamentar për shuarjen e Task Forcës Kundër Korrupsionit

Komisioni për çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes gjatë ditës se sotme ende nuk ka vendosur që pas mos raportimit të Ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliu para këtij komisioni, i njëjti të ftohet në interpelancë.

Kjo sipas komisionit do të vendoset pasi të hartohet kërkesa për interpelancë dhe të merren nënshkrimet.

Temat për te cilat anëtarët e komisionit propozuan që te diskutohen në interpelancë do të jenë për mos përgjigje ndaj komisionit dhe zhvillimet në Policinë e Kosovës.

Anëtari i VV Rexhep Selimi në komision propozoi tri kërkesa para komisionit në lidhje me çështjet që u diskutuan nga anëtarët në lidhje me shkarkimin e Taskforcës, e shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë Rashit Qalaj.

“Unë po kërkoj tri veprime që dua të merret komisioni: ministri nuk është hera parë që nuk i përgjigjet komisionit le të i përgjigjet parlamentit. Po ashtu mbështes që teksti i mocionit të jetë shkarkimi apo dorëheqja e cila e involvon edhe kryeministrin e pastaj kryeministri vepron ose jo. Sa i takon taskforcës kërkova të themelohet një komision hetimor për këtë rast. Gjithashtu të diskutohet edhe për zhvillimet në polici. Kisha kërku që secilën vec e vec me qit në votim”, tha Selimi.

Nënkryetari i komisionit Bekë Berisha nuk preferoi qe të kërkohet shkarkimi i Veliut.

“Unë e përkrahi me thirrë në interpelancë ministrin sepse vet po don ashtu. Unë nuk jam për me kërku shkarkim po për interpelancë po. Me kerku shkarkimin tani jo pazaret, mu bo pjesë e pazareve kështu qe unë po mendoj që kish me qenë mirë me ftu në interpelancë”, tha Berisha.

Në po të njëjtin komision u ngritën çështje të ndryshme sa  i takon shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalajt si dhe shkarkimin e taskforcës speciale për korrupsion.

Anëtarët e komisionit për siguri vazhdimisht treguan se ministri Veliu është ftuar të raportoj në komision por i njëjti kishte refuzuar për shkak të agjendës së ngarkuar.