Kërcënimi ndaj RTV Besës - Policia interviston ish-kryetarin e AAK-së në Prizren

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë sot se stafi i Radio Televizionit Besa në Prizren, është kanosur e kërcënuar gjatë ditës së djeshme nga ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në këtë komunë, Lulzim Kabashi.

Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi konfirmoi për KALLXO.com se policia ka intervistuar një person lidhur me këtë rast, të cilin më pas e ka liruar në procedurë të rregullt.

“Sot gjatë ditës nga RTV Besa është raportuar se një person ka shkuar në zyrat e tyre dhe e ka kanosur stafin. Policia ka shku në vendin e ngjarjes, i dyshuari nuk ka qenë aty. Pas ftesës së policisë, ai është paraqitur në stacion” – tha Bytyqi.

Bytyqi nuk konfirmoi se i dyshuari është Lulzim Kabashi, por tha se i dyshuari ka shkuar në zyrat e RTV Besës për t’i kanosur lidhur me një informacion të publikuar nga ky medium, ku përmendet edhe një parti politike.

Rasti është ende nën hetime, ndërsa sipas zëdhënësit, lirimi në procedurë të rregullt është bërë pas konsultës me prokurorin e shtetit.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me Lulzim Kabashin lidhur me këtë rast, por deri në publikimin e këtij artikulli, ai ka qenë i paqasshëm.

“Ai ka kërcënuar me jetë për shkak të një lajmi të publikuar nga mediumi për një ish kandidat të AAK-së në zgjedhjet e fundit lokale të arrestuar dje nën dyshimin për posedim të substancave narkotike. Rasti është paraqitur në Policinë e Prizrenit”- thuhet në njoftimin e RTV Besës drejtuar AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar këtë veprim dhe i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që “të trajtojë rastin me prioritet në mënyrë që kolegët të vazhdojnë të kryejnë profesionin e tyre pa u penguar”.

Ish kryetari i AAK-së në Prizren kërcënon stafin e RTV Besa, reagon AGK